Sipas Departamentit Amerikan të shtetit boomi në sektorin e ndërtimit fsheh një anë të errët që lidhet me përdorimin nga krimi i organizuar për pastrimin e parave. Shqetësimin për këtë fenomen prej vitesh gjen vend edhe në raportin e DASH që e lidh me fuqizimin e grupeve shqiptare kriminale në tregjet globale.
Në Raportin e Strategjisë së Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve 2025, DASH nënvizon se grupet kriminale shqiptare “përdorin ekonominë shqiptare, veçanërisht sektorin e ndërtimit, për të pastruar të ardhurat dhe kontribuojnë në korrupsion”.
“Kriminelët pastrojnë të ardhurat përmes blerjeve të pasurive të paluajtshme, projekteve të ndërtimit, aseteve virtuale dhe zhvillimit të bizneseve”, thuhet në raportin e DASH të publikuar pak ditë më parë.
Edhe ekspertët vendas ngrenë alarmin se ndërtimi është një oaz për grupet kriminale.
“Kompanitë që kanë qenë të falimentuara po i blen krimi i organizuar për të pastruar paratë, tek ne po ndodh praktikisht amnistia fiskale”, thotë Zef Preçi.
Sipas një raporti të Global Intiative në vitin 2022 në Shqipëri dyshohet se janë pastruar 666 mln euro në sektorin e ndërtimit. Megjithatë ish prokurori Ervin Karanxha, thotë se pastrimi i parave është shumë i vështirë të provohet ndaj është vepër e veçantë.
Sipas tij në ndërtim ka shumë njerëz të thjeshtë që kanë hedhur para, duke iu referuar në këtë rast emigrantëve që kanë punuar për vite të tërë në të zezë, dhe si pasojë është e vështirë të bëhet diferenca, kush është para e pisët dhe kush është para e pastër.
“Mund të kenë informacione, por me hetime është shumë e vështirë të provohet”, thotë ai.
Sipas tij blerja që në gropë është e mirë sepse dihet që në fillim kush po i hedh paratë.
“Pastrim i parasë është kur bëhet me duar në xhepa, pra mbaron një pallat nga fillimi në fund pa investim të jashtëm, atëherë ka dyshime”, – sugjeron ai.
“Kur bashkohen e zeza me të bardhën është e vështirë të bëhet diferenca”, thotë Karanxha, ndaj sugjeron se i vetmi mekanizëm është kur ke investitorë të vegjël të verifikohet nëse blerësit janë të vërtetë apo jo.
“Të verifikohen blerësit e pronës dhe vlera e pronës, po u verifikuan që vijnë nga veprimtari të dyshimta mund të bllokohen në të kundërt, është e padrejtë”, – thotë ai, duke sugjeruar se edhe në ato raste kur verifikohet inkriminimi i investimit, duhet të bllokohet vetëm pasuria përkatëse dhe jo i gjithë objekti.
“Nuk duhet të nxitohemi, e sekustron por nuk e bllokon të gjithin, por vetëm ato me probleme. Duhet gjithmonë të kemi si parim mbrojtjen e interesit më të lartë të qytetarit”, – përfundon ai. /shteg.org



