Zbardhen detaje të reja nga dosja e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për grupin e trafikut të kokainës nga vendet e Amerikës Latine për në vendet e Bashkimit Europian. Në përgjimet që ka siguruar SPAK përmes rrjeteve ku anëtarët e grupit komunikonin, flitet për shuma të mëdha monetare, të cilat arrijnë deri në disa në miliona euro. Në bisedat në Sky ECC, publikuar nga ‘Në Shënjestër’ rezulton se një nga planet për të justifikuar hyrjen e parave ishte hapja e një “fabrike leshi” dhe përdorimi i faturave fiktive.
Konkretisht Ervis Çela i sugjeronte vëllait të tij, Albin Çelës, që të krijonte një biznes tekstili/leshi dhe të përgatitej për të nxjerrë fatura që të legalizonin kursimet e mëdha që dyshohet se vinin nga aktivitetet e paligjshme.
Në një nga bisedat, Ervisi i thotë vëllait: Çfarë pret? Të prish punë po të kesh dhe ndonjë firmë të vogël? U bënë 15 mln? Po kam një ide të hapësh një firmë leshi dhe të bësh fatura, të fusësh lekë në bankë… Kam gati 20 mln në Hollandë…”.
Teksti i bisedave lë të kuptohet se shumë prej bizneseve të lidhura ishin fiktive ose nuk prodhonin fitime reale, me qëllim të pastrimit të kapitalit. Hetimi përfshin gjithashtu emra të tjerë që, sipas hetuesve, kanë shërbyer si pika transferimi të parave. Një prej tyre është Soni Pepa, i cili u arrestua në fillim të shtatorit 2025 në Santo Domingo nën urdhër arresti ndërkombëtar dhe më pas u ekstradua drejt Shqipërisë.
Përmes bisedave rezulton se Soni Pepa ka depozituar për llogari të grupit shuma të konsiderueshme parash, në total sipas komunikimeve rreth 1,280,000 euro, përfshirë një transaksion prej 300,000 euro më 6 janar 2021.
Soni Pepa bisedon me Albin Çelën:
‘Ok vëlla. Bëji njëherë total. Sa janë dhënë…
‘1 280 totali. Ke edhe 30 mijë plus të datës 16 nentor…’
Në këto transaksione, sipas zbardhjeve, përdorej një metodë transferimi që synonte shmangien e kontrolleve doganore dhe deklarimeve zyrtare: paratë futeshin në vend nga shoferë autobusësh ndërkombëtarë të pasagjerëve dhe më pas i dorëzoheshin personave të besuar në Shqipëri, shpesh përmes ndërmjetësve familjarë. Po kështu, materialet e komunikimit tregojnë edhe lidhje me trafikim armësh dhe përdorimin e kontejnerëve të përcaktuar si “metal” ose “tinta” për fshehjen e lëndëve narkotike.
Rrjeti dhe vëllazëria financiare që përshkruhet nga bisedat lidhet me ngarkesa të mëdha të drogës që u përpoqën të trafikoheshin drejt Europës në vitet 2020–2021. Në periudha të ndryshme përmenden dy ngarkesa të mëdha (rreth 12 ton dhe më pas 13 ton) që vinin nga Amerika e Jugut dhe që u kaluan përmes porteve të Anversës dhe Hamburgut; në Rotterdam u sekuestruan 600 kg drogë, ndërsa autoritete të tjera raportuan sekuestrime dhe hetime në lidhje me kontejnerë të dyshimtë që mbajnë shenja identifikuese dhe material ndërtimi që shërbente për maskimin e lëndës.



