nadir causholli cfo pharma

Prokuroria e Tiranës ka zbuluar një tjetër skemë mashtrimi me rimbursimet e barnave, me vlerë që mund të arrijë deri në 60 milionë euro. Në qendër të hetimeve ndodhet kompania “CFO Pharma” dhe pronari i saj, Nadir Çausholli, ndërsa në ndihmë të tij akuzohen ish-drejtues dhe punonjëse të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH).

Sipas Prokurorisë, kompanitë “fiktive” të krijuara nga Çausholli i kanë shitur “CFO Pharma”-s medikamente të llojit Foster dhe Trimbow, për të cilat ekskluzivitetin në tregun shqiptar e zotëron kompania “Medicamenta”. Hetimet tregojnë se për falsifikimin e dokumenteve, Çausholli është ndihmuar nga ish-drejtori i FSDKSH-së, Spartak Zekja, si edhe punonjëset Zade Mali, Esjana Gjishti dhe Romina Agalliu.

Vlera e përfitimit të dyshuar financiar arrin aktualisht në 70 milionë lekë, por burime hetimore thonë se shuma reale mund të jetë shumëfish më e lartë.

Skema ka nisur pas alarmit të kompanisë italiane Chiesi spa, e cila konstatoi se FSDKSH kishte rimbursuar mijëra kuti më shumë të ilaçeve Foster dhe Trimbow sesa kishte furnizuar vetë prodhuesi. Hetimet zbuluan se dy kompani të lidhura me CFO Pharma, “Pharma Plus” dhe “Medyx Albania”, kishin deklaruar fiktivisht inventarë me mijëra kuti të këtyre barnave pa i blerë realisht ato.

Më pas, këto kompani i “shisnin” po fiktivisht produktet te “CFO Pharma”, e cila i faturonte farmacive “Bio Plus” dhe “Medigreen”, në pronësi të Gazmend Aliajt, ish-kontrollor i FSDKSH-së, i dënuar më parë për rimbursime të rreme. Për këto transaksione fiktive, farmacitë përfitonin rimbursime nga shteti, duke dëmtuar buxhetin publik.

Prokuroria thekson se administratori i “CFO Pharma”, Frigul Milla, ka zbatuar “politikat tregtare të vendosura nga ortaku”, pra Çausholli, duke nënshkruar faturat fiktive. Aktualisht, Milla është nën masë sigurie “arrest në mungesë”, ndërsa tre vartëset e Çaushollit, Lorena Ballabani (“Medex Albania”), Alba Zylfo (“Pharma Plus”) dhe Jona Berberi, ndodhen nën masë detyrimi për paraqitje dhe ndalim daljeje jashtë shtetit.

Hetuesit theksojnë se miratimi i inventarëve të rremë nga strukturat e FSDKSH-së tregon përfshirje të niveleve të larta drejtuese në Fond. Burime nga institucioni konfirmojnë se pas shpërthimit të skandalit janë bërë lëvizje të brendshme, por priten arrestime të tjera në ditët në vijim.

Ky nuk është rasti i parë për Nadir Çaushollin. Rreth një dekadë më parë, ai u arrestua sërish për mashtrime me rimbursimin e barnave përmes kompanisë “Omega Pharma”. Atëherë ai vuajti vetë dënimin me burg, ndërsa këtë herë përgjegjësinë po e mbajnë vartësit e tij.

Skandali aktual është një tjetër goditje për sistemin shëndetësor shqiptar, duke nxjerrë në pah dështimin e mekanizmave të kontrollit në zinxhirin e furnizimit dhe rimbursimit të barnave. Ai pritet të ketë pasoja të gjera jo vetëm në FSDKSH, por edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, që sipas burimeve, ka pasur dijeni për anomalitë në tregun farmaceutik. /gazetajone