Efektivi i ‘Shqiponjave’, Enea Mekolli, i cili humbi jetën në krye të detyrës gjatë operacionit policor në fshatin Bode ne Maliq, do të prehet në varrezat e fshatit të tij të lindjes.
Megjithëse statusi i “Dëshmorit të Atdheut” parashikon varrimin në Varrezat e Dëshmorëve, familja ka kërkuar që ceremonia e varrimit të zhvillohet në vendlindjen e tij. Sipas familjarëve, kjo kërkesë lidhet me faktin se ata kanë humbur më herët edhe një djalë tjetër nga nje sëmndje e rëndë (leuçemi), gjithashtu efektiv policie.
Homazhet në nderim të Enea Mekollit do të zhvillohen të premten në orën 10:00 deri 12:00 në Pallatin e Kultures Pogradec, ndërsa ceremonia e varrimit do të mbahet në orën 14:00 në fshatin e tij të lindjes Blace.
Ngjarja u regjistrua sot në një zonë malore të Lozhanit, në Maliq, ku strukturat e policisë pasi kishin identifikuar një person në kërkim, 43-vjeçari Violand Braçellari. Ky i fundit ka refuzuar t’i përgjigjet thirrjeve të policisë për tu dorëzuar dhe ka hapur zjarr ndaj efektivëve ku për pasojë humbi jetën Enea Mekolli, ndërsa u plagos Edison Adri.



