-640-0-3-1784368256

Resortet dhe investimet strategjike të ngritura përgjatë bregdetit të Jonit, nga Palasa drejt Dhërmiut dhe Himarës, pritet të përfitojnë nga një tjetër investim i rëndësishëm publik.

Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Vlorë ka hapur një procedurë tenderimi me fond limit 1.129.210.978 lekë, ose rreth 14.4 milionë euro, për ndërtimin e sistemit të kanalizimeve të ujërave të zeza në zonën e Dhërmiut.

Procedura vjen pas investimeve të tjera publike për ujësjellësit dhe infrastrukturën në zonat turistike të jugut, të cilat, sipas raportimeve të mëparshme, kanë kushtuar mbi 25 milionë euro.

Në dokumentet e tenderit, objekti paraqitet si “KUZ Dhërmi”, por nuk janë bërë publike ende hollësi të plota mbi gjurmën e projektit, kapacitetin e impiantit dhe zonat apo subjektet që do të përfitojnë drejtpërdrejt prej tij.

Dhërmiu dhe bregdeti përreth janë kthyer vitet e fundit në një nga zonat me përqendrimin më të madh të resorteve, hoteleve dhe komplekseve të reja turistike.

Një pjesë e projekteve kanë përfituar statusin e investitorit strategjik, i cili shoqërohet me lehtësi fiskale, përdorim të pronës shtetërore dhe procedura të përshpejtuara administrative.

Krahas investimeve private, shteti po financon rrugët, ujësjellësit, kanalizimet dhe vepra të tjera infrastrukturore që u shërbejnë zonave ku po ndërtohen komplekset turistike.

Kjo ka ngritur pikëpyetje mbi raportin mes përfitimit privat dhe kostos publike, pasi infrastruktura financohet nga buxheti i shtetit, ndërsa përfitimi ekonomik përqendrohet kryesisht te investitorët dhe pronarët e resorteve.

Gazeta jonë ka raportuar edhe më herët për tenderët e ujësjellësve në zonën Palasë-Dhërmi-Himarë, ku kompani të përfshira në projekte strategjike kanë marrë gjithashtu kontrata publike për ndërtimin e infrastrukturës.

Në disa raste, kompani që kanë përfituar statusin e investitorit strategjik janë angazhuar më pas edhe në tenderë për veprat që i shërbejnë zhvillimit turistik të së njëjtës zonë.

Tenderi prej 14.4 milionë eurosh për Dhërmiun pritet të tërheqë interes të madh nga kompanitë e ndërtimit, ndërsa mbetet për t’u parë se cilët operatorë do të marrin pjesë dhe kush do të shpallet fitues.

Investimi shihet si i nevojshëm për përballimin e fluksit të ndërtimit dhe turizmit, por njëkohësisht rikthen debatin nëse shteti po përqendron fondet publike në zonat ku janë zhvilluar resorte private, ndërsa qytete të mëdha vijojnë të kenë probleme të rënda me kanalizimet dhe trajtimin e ujërave të ndotura. /gazetajon.com