Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “END”, duke kapur një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të shpallur në kërkim për krime të rënda kundër jetës.
Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 3, pas një pune të mirëorganizuar hetimore dhe mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative. Në zonën e rrugës “Mikel Maruli” u lokalizua dhe u arrestua Klement Zguro (i njohur edhe si Kaçolli), 43 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Apelit Korçë me 11 vite burg për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 8 vite e 11 muaj burgim.
Pas arrestimit, 43-vjeçari është dërguar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë për procedurat e mëtejshme ligjore. Autoritetet theksojnë se operacione të tilla do të vijojnë në gjithë vendin për kapjen e personave me precedentë penalë të rrezikshëm./gazetajonë



