dritan gjika

Dritan Gjika është arrestuar nga autoritetet në Abu Dhabi, me qëllim ekstradimi në Ekuador. 47-vjeçari shqiptar konsiderohet edhe si një prej drejtuesve më të rëndësishëm të trafikut të drogës nga Kolumbia dhe Ekuadori drejt Bashkimit Evropian.

“Dritan Gjika, një shtetas shqiptar 47-vjeçar, u kap më 26 maj 2025 në Emiratet e Bashkuara Arabe si pjesë e një operacioni ndërkombëtar të koordinuar nga Njësia Kombëtare e Interpolit në Ekuador, homologët e saj në Abu Dhabi dhe autoritetet spanjolle. Operacioni u krye nëpërmjet punës hetimore dhe shkëmbimit të informacionit nga programi PAcCTO 2.0 për qëllime ekstradimi”, thuhet në njoftimin e autoriteteve të huaja.

Gjika ka jetuar në Ekuador për gati një dekadë dhe nga Guayaquil ka drejtuar biznese të ndryshme, mes të cilave eksport bananesh që lidhet me një importues shqiptar të akuzuar për trafik kokaine. Në Ekuador, prokurorët e akuzojnë atë si drejtuesin e dyshuar të një organizate kriminale të trafikut të kokainës dhe pastrimit të mbi 30 milionë eurove.

Sipas raportimeve nga mediat e huaja, lidhjet e Gjikës shkonin te zyrtarët më të lartë ekuadorianë, madje deri dhe te ish-presidenti i vendit.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Ekuadorit, Gjika kishte “shenjë të kuqe” të Interpolit për trafik droge, pastrim parash dhe krim të organizuar.