Kërpudhat nuk janë më vetëm pjesë e kuzhinës apo e natyrës. Falë zhvillimeve të fundit në fushën e materialeve të qëndrueshme, myceliumi – rrjeti fijor që formon bazën e kërpudhave – po shndërrohet në një alternativë reale ndaj plastikës dhe lëkurës tradicionale. Industria e modës, ndërtimit dhe madje edhe ajo funerale po eksperimentojnë me produkte që rriten, në vend që të prodhohen në mënyrë industriale.
Myceliumi kultivohet mbi mbetje bujqësore si kashtë, tallash apo fibra bimore. Gjatë procesit të rritjes, ai lidhet natyrshëm me këto materiale dhe krijon një strukturë të fortë, të lehtë dhe elastike. Pas përdorimit, ky material mund të dekompozohet plotësisht në tokë, pa lënë pas mbetje plastike apo ndotje afatgjatë. Kjo e bën atë një alternativë serioze ndaj produkteve me bazë nafte që dominojnë tregun.
Në industrinë e modës, kompani inovative kanë zhvilluar materiale që duken dhe ndihen si lëkurë, por që prodhohen nga myceliumi. Çanta, këpucë dhe aksesorë të ndryshëm tashmë janë prezantuar si produkte të biodegradueshme, duke tërhequr vëmendjen e markave të mëdha që kërkojnë të reduktojnë gjurmën mjedisore.
Eksperimentet shkojnë edhe më tej. Inxhinierë dhe dizajnerë kanë testuar përdorimin e myceliumit për mobilje, panele ndërtimi dhe madje edhe për tabela surfi, si alternativë ndaj shkumës sintetike që ndot mjedisin. Edhe në fushën e ceremonive funerale, janë krijuar arkivole nga myceliumi që dekompozohen brenda pak javësh, duke reduktuar ndikimin mjedisor të varrimeve tradicionale.
Megjithëse disa prej këtyre produkteve janë ende në faza testimi apo prodhimi të kufizuar, tendenca është e qartë: kërkimi për materiale të reja po orienton industrinë drejt burimeve biologjike dhe cikleve natyrore. Në një kohë kur plastika dhe mbetjet sintetike janë kthyer në krizë globale, myceliumi po shihet si një nga alternativat më premtuese. Kёshtu, por krijohen produkte që jetojnë, shërbejnë dhe më pas kthehen në tokë pa e dëmtuar atë. Dhe në këtë rrugë, kërpudhat – të vogla e të heshtura – mund të luajnë një rol shumë më të madh sesa kemi imagjinuar.



