IMG_4915

Gazetari Andi Tela duke komentuar ngjarjen e rëndë sot në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku mbeti i vrarë gjyqtari Astrit Kalaja dhe u plagosën dy shtetas të tjerë, u shpreh se autori i krimit, Elvis Shkambi, ishte përgatitur për ngjarjen e sotme, duke shkuar në seancë me armë, sepse në seancën e kaluar pjesëtarët e familjes Shkambi kishin debatuar ashpër me gjyqtarin.

“Vrasësi ka hyrë atje me pistoletë dhe i bindur që s’do të kapet dhe që nuk do të kontrollohet. Një seancë me parë ka debatuar me gjyqtarin. Pala që goditi gjyqtarin ka debatuar ashpër me të. Dhe ishte në dijeni se si futesh brenda. Ka ditur se nuk funksionon detektori. Për të mos folur për sallat e gjyqit që janë ca dhoma të vogla. Ajo godinë që ka qenë Gjykata e Apelit për Tiranën tashmë është për të gjithë Shqipërinë.

Pas vitit ‘45 shteti ndërtoi këto godinat. Njihet në Shkodër si Pallati i Beqarëve. Në 1992 31 familje të pastreha u futën atje me vendim të këshillit bashkiak. Familja Shkambi pretendonte edhe truallin dhe godinat dhe u bënë pronarë. Konflikti nisi në këto momente se ata kanë të drejtën e parablerjes”, tha Andi Tela në emisionin “Të Paekspozuarit”.

Sakaq, në një lidhje direkt për Top Story, gazetarja e Top Channel Dorjana Bezat zbardhi të tjera detaje nga ngjarja kriminale.

Ajo tha se autori bëri vetëgjyqësi, pasi deklaronte se familja e tij ishte pronare e godinave që ishin në gjyq ku strehohen 31 familje, dhe se më herët kishte thënë se atë pronë nuk do ta gëzojë askush përveç familjes së tij, duke pretenduar se janë trashëgimtarët e ligjshëm.