SPAK ka përfunduar hetimet dhe kërkon gjykimin e kryebashkiakut socialist të Vaut të Dejës, Kristian Shkreli për “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, pasi kreu investime gjatë fushatës elektorale në këmbim të votës së banorëve në favor të subjektit politik të preferuar prej tij, PSD-së së Tom Doshit.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të premten më 24 tetor përfundimin e hetimeve ndaj kryetarit socialist të Bashkisë Vau i Dejës, Kristian Shkreli, për premtime dhe kryerje të investimeve gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, në këmbim të votave të banorëve të favor të Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë, forcë politike e udhëhequr nga Tom Doshi, i cili është pjesë e listës së zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit për përfshirje në korrupsion.
Çështja ndaj Shkrelit është përcjellë në gjykatën respektive, ku të premten është hedhur shorti. Gjyqtarja Flora Hajredinaj, është caktuar që të shqyrtojë në seancën paraprake kërkesën e SPAK për gjykimin e Shkrelit. Ai akuzohet për veprën penale “Korrupsoni aktiv në zgjedhje”.
Sipas SPAK, nga hetimet ka rezultuar se i pandehuri Kristian Shkreli, me detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, është përfshirë në veprimtari të kundërligjshme në zgjedhjet e zhvilluara më datë 11 maj 2025, për Kuvendin e Shqipërisë.
“Gjatë fushatës zgjedhore, Kristian Shkreli u ka premtuar dhe ofruar të mira materiale zgjedhësve të fshatit Stajkë, në Bashkinë Vau Dejës, në këmbim të votimit në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të subjektit politik Partia Socialdemokrate e Shqipërisë”, citohet në njoftim.
Po ashtu, nënvizohet se gjatë hetimit, është evidentuar se i pandehuri Shkreli ka qenë aktiv në fushatën zgjedhore, në mbështetje të Partisë Socialdemokratie të Shqipërisë, duke shfrytëzuar nevojat e banorëve të fshatit Stajkë për ndërtimin e infrastrukturës së rrjetit të energjisë elektrike. Në njoftim bëhet me dije se ky investim është realizuar gjatë periudhës së fushatës elektorale, ndërkohë që kryebashkiaku socialist, u ka kërkuar banorëve të votonin subjektin politik të preferuar prej tij, PSD-në e Tom Doshit.
Kristian Shkreli i fitoi zgjedhjet për pozicionin e kryebashkiakut të Vaut të Dejës në maj të vitit 2023, nën siglën e Partisë Socialiste.
Në një takim gjatë fushatës elektorale, në fillim të muajit maj, kryeministri Edi Rama i tërhoqi vëmendjen Shkrelit, duke i thënë që të mos luante me dy porta./BIRN



