fredrik-nielsen

Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, ka deklaruar se nuk ekziston asnjë rrezik real që Shtetet e Bashkuara të pushtojnë Groenlandën, duke i bërë thirrje qytetarëve që të mos bien në panik pas deklaratave të fundit të presidentit amerikan, Donald Trump.

Gjatë një konference për shtyp në Nuuk, Nielsen theksoi se Groenlanda është një vend demokratik dhe se situata nuk mund të krahasohet me atë të Venezuelës.

“Shtetet e Bashkuara nuk mund ta pushtojnë Groenlandën. Nuk jemi në një situatë të tillë dhe nuk ka arsye për panik. Ajo që duhet të bëjmë është të rivendosim bashkëpunimin e mirë që kemi pasur më parë”, u shpreh ai.

Kryeministri bëri të ditur se qeveria e tij synon të rifillojë dialogun e drejtpërdrejtë me Uashingtonin, duke u fokusuar në bashkëpunimin politik, ekonomik dhe të sigurisë. Ai shtoi se Groenlanda mbetet e hapur për investime dhe aktivitete biznesi, ndërsa po forcon marrëdhëniet me vendet aleate dhe NATO.

Megjithatë, Nielsen paralajmëroi se qeveria e tij do të ashpërsojë tonin diplomatik, pasi sipas tij, situata aktuale nuk është e kënaqshme për autoritetet e Groenlandës.

Deklaratat e tij vijnë pasi Trump, i pyetur nga revista The Atlantic për implikimet e një ndërhyrjeje ushtarake amerikane në Groenlandë, pas operacionit të kryer në Venezuelë, u shpreh se vlerësimi i situatës u takon partnerëve të SHBA-së.

Nielsen theksoi se krahasimi me Venezuelën është i pabazë, duke nënvizuar se Groenlanda ka një traditë të gjatë demokratike dhe nuk ndodhet në rrethana të ngjashme politike apo institucionale.