IMG_8678

Volkswagen po zhvillon negociata me kompaninë izraelite Rafael Advanced Defence Systems për një marrëveshje që mund të shënojë një kthesë të fortë strategjike, kalimin nga prodhimi i automjeteve në sisteme të mbrojtjes ajrore. Lajmi është bërë i ditur nga Financial Times, duke cituar burime të afërta me projektin.

Në qendër të planit është fabrika e Osnabruck-ut, në Saksoninë e Poshtme, e cila prej kohësh përballet me rënie të prodhimit dhe rrezikon të mbyllet vitin e ardhshëm sipas planit të kursimeve të Volkswagen të miratuar në vitin 2024. Për të shmangur këtë skenar, dy kompanitë po shqyrtojnë mundësinë e shndërrimit të saj në një qendër prodhimi për komponentë të sistemit izraelit të mbrojtjes ajrore Iron Dome, i njohur si “Kupola e Hekurt”.

Projekti synon jo vetëm të ripërdorë kapacitetet industriale ekzistuese, por edhe të ruajë rreth 2 mijë e 300 vende pune, duke e bërë këtë një nga shembujt më të qartë të transformimit të industrisë automobilistike gjermane drejt sektorit të mbrojtjes. Ky transformim vjen në një kohë kur prodhuesit europianë të makinave po përballen me presion në rritje nga konkurrenca kineze dhe sfidat e tranzicionit drejt automjeteve elektrike.

Sipas burimeve, fabrika do të prodhonte disa prej komponentëve kryesorë të sistemit Iron Dome, përfshirë kamionë të rëndë për transportin e raketave, lëshues dhe gjeneratorë energjie, ndërsa prodhimi i vetë raketave do të realizohej në një impiant tjetër të specializuar që Rafael planifikon të ndërtojë në Gjermani. Kompania izraelite tashmë ka një prani industriale në vend, përmes bashkëpunimeve me kompani gjermane në prodhimin e sistemeve të mbrojtjes.

Burime të tjera bëjnë të ditur se iniciativa gëzon mbështetje politike nga qeveria gjermane e drejtuar nga Friedrich Merz, në një kohë kur Berlini ka rritur ndjeshëm investimet në mbrojtje pas luftës Rusi-Ukrainë, shkruan La Stampa. Vetë Rafael ka siguruar kontrata të rëndësishme me Gjermaninë, duke përfshirë furnizimin me sisteme të avancuara për avionët luftarakë.

Megjithatë, realizimi i projektit mbetet i kushtëzuar nga një faktor kyç, pranimi i punonjësve për të kaluar nga prodhimi civil në atë ushtarak. Nëse kjo ndodh, prodhimi mund të nisë brenda 12 deri në 18 muajve, duke i dhënë një jetë të re fabrikës dhe duke reflektuar ndryshimet e mëdha që po përjeton industria europiane në kushtet e një mjedisi të ri gjeopolitik dhe ekonomik.