jë ngjarje e rëndë është regjistruar brenda burgut të Korydallos në Greqi, ku i burgosuri shqiptar Jani Aliaj është vrarë me thikë nga një i dënuar grek.
Aliaj është goditur disa herë me mjet prerës dhe nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Raportohet se autori i dyshuar i vrasjes të jetë një 28-vjeçar grek, vrasës me pagesë. 28-vjeçari në 18 gusht 2025 ekzekutoi 47-vjeçarin nga Gjirokastra, Artur Bashimi.
Artur Bashimi është vëllai i Marsel Bashimit, i përfshirë në ngjarje të rënda në Greqi, në një rast në bashkëpunimi me Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin, të kërkuar në Shqipëri për vrasjen e Komisar Artan Cuku
Vrasja e Jani Aliajt dyshohet se është porositur nga një tjetër i burgosur, i cilësuar nga mediat greke, si mafia në burgun e Koridallos.r. Raportohet se kreu i kësaj bande kishte pasur konflikte me të ndjerin.

Kush ishte Jani Aliaj
Jani Aliaj ishte një nga personat më të kërkuar nga drejtësia shqiptare dhe ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Elton Çiço, ngjarje e ndodhur më 1 maj 2016 në ish-Bllok, një nga zonat më të frekuentuara të Tiranës.
Sipas hetimeve, Aliaj hyri i maskuar me paruke në lokalin “De Niro”, pranë stadiumit “Selman Stërmasi”, ku qëlloi për vdekje Çiçon në tavolinën ku ndodhej në shoqërinë e disa personave të tjerë. Pas krimit, ai arriti të largohej dhe u shpall në kërkim për vrasje për hakmarrje.
Në lidhje me këtë ngjarje, Renato Milloshi u arrestua dhe në vitin 2017 u dënua me 8 muaj burg nga Gjykata e Tiranës për moskallëzim krimi.
Në maj të vitit 2018, Gjykata e Tiranës e dënoi Jani Aliaj në mungesë me burgim të përjetshëm si autor i vrasjes së Elton Çiços.
Ndërsa më 9 qershor 2023, Apeli i GJKKO la në fuqi konfiskimin e shtatë pasurive në emër të familjarëve të tij: katër njësi tregtare, një ullishte dhe një vilë në Borsh, të cilat kaluan në pronësi të shtetit.
Konflikti mes Aliajt dhe Çiços
Jani Aliaj dhe Elton Çiço kishin qenë miq të hershëm, të dy me origjinë nga Tepelena. Armiqësia mes tyre nisi pas një vrasjeje të ndodhur në vitin 2000, kur Aliaj kishte qëlluar për vdekje me thikë E. Ballazhiun, 20-vjeçar, shok fëmijërie i Çiços, në fshatin Zhabakin.
Sipas një piste tjetër hetimore, konfliktet mes tyre lidhen edhe me prishjen e pazareve të drogës mes dy grupeve. Në janar 2016, Aliaj i kishte shpëtuar një atentati me armë në Rrugën e Kavajës, ndërsa rreth pesë muaj më pas ndodhi atentati vdekjeprurës ndaj Elton Çiços.
Autorësia e vrasjes u zbardh pas gjetjes së një bishti cigareje pranë vendngjarjes, i cili i përkiste Aliajt.
Jani Aliaj u arrestua nga autoritetet greke në janar 2025, pas rreth 10 vitesh në arrati, dhe ndodhej në burgun e Korydallos në pritje të procedurave të ekstradimit drejt Shqipërisë.
Në Greqi, ai po vuante gjithashtu dënim për një vrasje të kryer në vitin 2002.



