konklava

Një thënie e vjetër për zgjedhjet papale thotë: “Ai që hyn në konklavë si papë, del prej andej kardinal.” Me fjalë të tjera, çdo kandidat që shihet si favorit para se të fillojë votimi, duhet trajtuar me kujdes, dhe asnjë kardinal nuk duhet të hyjë në Kishëzën Sistine duke e marrë të mirëqenë se i ka të fituara votat paraprakisht.

Në konklavën e vitit 2013, një nga favoritët ishte Kardinali Angelo Scola i Milanos. Ipeshkvijtë italianë ishin aq të bindur se ai do të zgjidhej, saqë sapo doli tymi i bardhë nga oxhaku i Vatikanit, një zyrtar i lartë i Kishës italiane dërgoi një mesazh për gazetarët duke shprehur gëzimin për zgjedhjen e Scolës. Problemi ishte se emri që ishte shpallur Papë, ishte Kardinali Jorge Bergoglio.

Ky konklavë do të jetë vendimtare për të përcaktuar drejtimin e ardhshëm të Kishës Katolike, dhe gara është e hapur, falë reformave që ka ndërmarrë Papa Françesku.

Gjatë pontifikatit të tij, Françesku ndryshoi përbërjen e trupës që do të zgjedhë pasuesin e tij, duke e bërë atë më përfaqësuese të Kishës në mbarë botën. Ai hodhi poshtë rregullat e pashkruara që disa dioqeza të caktuara (kryesisht në Itali) automatikisht do të kishin kardinalët e tyre, dhe në vend të kësaj shpërndau “kapelat e kuqe” për peshkopë nga pjesë të botës që nuk i kishin pasur kurrë më parë, si Tonga, Haiti dhe Papua Guinea e Re. Shumë prej tyre janë “të huaj” ndaj sistemit roman, çka e bën më të vështirë parashikimin e mënyrës si do të votojnë.

Megjithatë, jo të gjithë kardinalët kanë aftësitë, përvojën dhe personalitetin e nevojshëm për të marrë mbi vete detyrën e udhëheqjes së Kishës Katolike.

Zgjedhësit do të duhet të marrin në konsideratë prioritetet e Kishës dhe profilin e kandidatit të ardhshëm. Do të duhet gjithashtu të vendosin nëse Papa i ardhshëm duhet të vazhdojë reformat e nisura nga Françesku apo të marrë një drejtim tjetër.

Ata do të kërkojnë dikë që mund të udhëheqë një kishë globale dhe të ofrojë një udhëheqje morale të besueshme në skenën botërore. Disa shohin të ardhmen e Kishës në Azi, çka ka nxitur spekulime se Papa i ardhshëm mund të vijë nga Azia Juglindore.

Edhe mosha është një faktor, pasi dy konklavat e fundit kanë zgjedhur papë më të moshuar për të pasur pontifikate më të shkurtra.

Kandidatët potencialë njihen si “papabile”, që në italisht do të thotë “i aftë për të qenë Papë”. Shumica dërrmuese e papabile-ve janë emëruar nga Papa Françesku. Vetëm dy prej tyre janë zgjedhur nga paraardhësit e tij.

Disa nga kandidatët kryesorë raporton CNN janë si më poshtë:

Kardinali Pietro Parolin

Diplomat me përvojë, ka mbajtur postin numër dy në Vatikan që nga viti 2013 dhe ka njohuri të thella për Kishën globale. Parolin, nga Italia Veriore, ka punuar në Amerikën Latine si përfaqësues papnor në Venezuelë dhe ishte i pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes së paqes në Kolumbi në vitin 2016. Ai ka qenë arkitekti i përpjekjeve të Vatikanit për të ndërtuar marrëdhënie me Vietnamin dhe për të rivendosur lidhjet diplomatike me Kinën, përmes një marrëveshjeje për emërimin e ipeshkvijve. Edhe pse mbështetës i axhendës së Françeskut, Parolin shihet si figurë më e kujdesshme dhe konservatore, por aftësitë e tij në ndërmjetësim mund ta bëjnë tërheqës për elektorët.

Matteo Zuppi

Kardinali Matteo Zuppi

I njohur për aftësitë diplomatike, Françesku e ngarkoi në vitin 2023 të udhëhiqte një mision paqeje për Ukrainën. Ka qenë pjesë e ekipit që ndërmjetësoi për t’i dhënë fund luftës civile në Mozambik në vitin 1992. Zuppi, lindur në Romë, njihet për thjeshtësinë e tij, shpesh shihet duke lëvizur me biçikletë në Bolonjë dhe ka pasur qasje përfshirëse ndaj komunitetit LGBTQ+.

Kardinali Luis Antonio Tagle

Filipinas, shpesh quhet “Françesku aziatik” për shkak të afërsisë së tij me prioritetet pastorale të pontifikatës aktuale. Ka drejtuar për disa vite degën globale të bamirësisë së Kishës. Në vitin 2019 u emërua prefekt i departamentit për ungjillizimin. Edhe pse karizmatik, ka pasur kritika për aftësitë e tij menaxheriale, sidomos pas reformimit të drejtimit të Caritas. Nëse zgjidhet, do të ishte Papa i parë nga Azia Juglindore dhe nga Filipinet.