Këshilli Bashkiak i Tiranës, vendosi këtë të martë, 23 shtator, shkarkimin e Erion Veliajt.
Erion Veliaj u shkarkua nga posti i tij me shumicë votash, pasi pro shkarkimit votuan Partia Socialiste, Partia Demokratike, Nisma Thurrje dhe Lëvizja Bashkë.
Ndërkohë, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar dhe Bindja Demokratike nuk morën pjesë në votim.
Miku i Veliajt Gazment Paja dhe Joleza Koka nuk ishin të pranishëm në mbledhke, ndërsa dy këshilltarë të Partisë Socialiste Aldo Merkoci dhe Alfred Muharremi, ishin në mbledhje, por munguan në procesin e votimit.
Anëtarë të tjerë që nuk morën pjesë në votim ishin: Erjona Bixho, Ervin Dushku, Eris Bejleri, Alba Kepi, Fabjan Topollaj dhe dy vakanca (Tedi Blushi dhe Romina Kuko)
Sakaq, teksa Këshilli Bashkiak vendosi për shkarkimin e Veliajt, mbetet për t’u ndërmarrë hapat e mëtejshme për plotësimin e këtij vendimi.
Kështu, Këshilli Bashkiak duhet të kalojë aktin tek Këshilli i Ministrave për të vulosur vendimin. Kështu, shpallet vakanca për Bashkinë e Tiranës.
Më pas, do të jetë qëndrimi i Veliajt nëse ky i fundit do të ankimojë vendimin e marrë në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditëve. Kushtetuesja më pas është organi që jep verdiktin.


