Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin që rrëzoi kërkesën e kryeministrit Edi Rama për heqjen e pezullimit të zëvendëses së tij, Belinda Balluku. Një vendim, i cili, në finale, nuk ishte edhe aq i keq për kryeministrin, pasi i krijoi mundësinë kreu të qeverisë që të shpëtojë ish-numrin dy të qeverisë nga arrestimi.
Strategjia e Ramës mund të kuptohet nga deklaratat e kreut të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, të dhëna në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, të zhvilluar në 23 shkurt 2026, ku diskutohej kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për dhënien e autorizimit për arrestimin e Belinda Ballukut.

“Mjafton masa që konfirmoi Gjykata Kushtetuese. Janë të mjaftueshme për hetimet”, citohet të ketë thënë Manja në mbledhjen me dyer të mbyllura, duke iu referuar masës së “pezullimit nga detyra” dhe “ndalimit për daljen jashtë shtetit”, të vendosura ndaj Balluku nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit në nëntor të vitit 2025.
Rama i “ktheu limonat në limonata”
Në një zbatim thuajse perfekt të shprehjes “i kthejmë limonat në limonata”, kreu i qeverisë e ktheu “dhimbjen” e dështimit në Gjykatën Kushtetuese, në një mundësi të artë për të shmangur arrestimin e zëvendëses së tij jetëgjatë.
Në 6 shkurt 2026, trupa prej 8 anëtarësh e Gjykata Kushtetuese nuk arriti të marrë një vendim për kërkesën e kryeministrit Rama, i cili pretendonte se Gjykata e Posaçme kishte uzurpuar kompetencat e tij si kreu i qeverisë, kur vendosi pezullimin nga detyra të zv.kryeministres, e akuzuar dhe nën hetim për “shkelje të barazisë në tendera” në disa procedura prokurimi me vlerë totale rreth 1.1 miliardë euro.
Gjyqtarët kushtetues u ndanë 4 me 4, pa arritur kuorimin e nevojshëm, gjë që do të thoshte se kërkesa e Ramës rrëzohej automatikisht dhe pezullimi i Ballukut mbetej në fuqi.
Ky vendim nxiti acarimin publik të Ramës, një reagim që duket se nuk ka qenë edhe aq real. Rikthimi i Ballukut në detyrë do t’i hiqte mundësinë maxhorancës që të fshihej pas “pezullimit nga detyra” për të refuzuar, me shumë gjasë, kërkesën e SPAK-ut, për arrestimin e saj.

Brenda mesit të Marsit, Parlamenti pritet të votojë mbi kërkesën e dorëzuar nga prokurorët e posaçëm për dhënien e autorizimit për arrestimin e Ballukut. Ndërkohë që opozita e ka dhënë verdiktin e saj se është pro-kërkesës së SPAK-ut, maxhoranca ka lënë të kuptohet se nuk ka ndërmend të miratojë vendosjen pas hekurave të ish-numrit dy të qeverisë.
Argumenti kryesor i Partisë Socialiste: “Nuk është e nevojshme masa ekstreme, për sa kohë edhe Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e saj nga detyra, ç’ka nuk helmon provat”. Duket se socialistët janë të gatshëm të ofrojnë vetëm “kontrollin e banesës” së Ballukut.
Ndarja e gjyqtarëve kushtetues
Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin për kërkesën e Ramës këtë të martë, 3 mars 2026.
Në leximin literar të vendimit konstatohet se të gjithë gjyqtarët kanë qenë të mendimit se ministri mund të pezullohet nga detyra. Por, ata janë ndarë në mënyrën se si dhe nga kush realizohet pezullimi.
“Pezullimi, nga Kuvendi”
Katër gjyqtarët që u konsideruan si “pro-Ramës”, kryetarja Fiona Papajorgji, Sonila Bejtja, Mariana Semini dhe Sandër Beci, kanë mbatur qëndrimin se pezullimi nga detyra i ministrit duhet bërë nga Parlamenti.
Në vlerësimin e tyre, “…çdo masë që sjell ndërprerjen/pezullimin, qoftë edhe të përkohshëm, të ushtrimit të funksionit të një ministri, prek drejtpërdrejt raportin e përgjegjshmërisë politike në aspektin procedural ndërmjet pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ…”

Për këtë arsye, në vlerësimin e katër gjyqtarëve, “në rastin e ministrit, si edhe në atë të deputetit, për sa kohë që masa e pezullimit është e tillë që sjell pasoja në ushtrimin e funksioneve kushtuese të njërit prej pushteteve, është e nevojshme thirrja e Kuvendit, si organi që duhet të vlerësojë dhe verifikojë masën e kërkuar nga organi i akuzës”.
“Pezullimi nga gjykata”
Grupi tjetër prej 4 gjyqtarësh, të përbërë nga Marsida Xhaferllari, Ilir Toska, Gent Ibrahimi, dhe Asim Vokshi mbajnë një qëndrim më radikal. Sipas tyre, pezullimi nga detyra e ministrit është një e drejtë e gjykatës dhe nuk mund të shqyrtohet as nga Parlamenti.
Sipas tyre, “…neni 73, pika 2, i Kushtetutës parashikon autorizimin paraprak të Kuvendit vetëm për masat e listuara shprehimisht në të: arrestimin, heqjen e lirisë në çdo formë, kontrollin personal dhe kontrollin e banesës. Pezullimi nga detyra qartazi nuk përfshihet në këtë listë”.

Në vlerësimin e katër gjyqtarëve, të konsideruar si “kundër-Ramës”, pretendimi i kryeministrit se masa e pezullimit nga detyra të ministrit cënon ndarjen e pushteteve, pasi ndikon në funksionimin e Këshillit të Ministrave, “mbështetet në një premisë jo të saktë, pasi masa drejtohet ndaj individit dhe jo ndaj institucionit. Kompetencat e institucionit mbeten të paprekura dhe mund të ushtrohen sipas mekanizmave kushtetues të zëvendësimit, duke garantuar vijimësinë e funksionimit të pushtetit ekzekutiv”.
Në vijim të këtij argumenti, dy prej gjyqtarëve, Xhaferllari e Vokshi, kanë mbajtur edhe një qëndrim parallel, duke theksuar se “kërkesa (e kryeministrit) ishte haptazi e pabazuar që në krye të herës dhe rrjedhimisht nuk duhej të ishte kaluar për gjykim nga Gjykata në fazën e shqyrtimit paraprak të saj”.
Rezultati?
Në pamje të parë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese u duk se ndau 8 gjyqtarët në një grup “pro-Ramës” dhe në një tjetër “kundër-Ramës”. Siç ka analizuar më herët “Boldnews.al”, ajo që dukej në pamje të parë, mund të fshihet një tjetër skenar.
Grupi që u identifikua si “kundër-Ramës”, pra ata që ishin pro-pezullimit të Ballukut, në fakt i kanë ngritur topin kryeministrit për të vijuar skenarin e tij për ta shpëtuar (ish)-zv.kryeministren nga arrestimi me autorizim të Parlamentit.

Një bashkësi mendimesh e gjyqtarëve, të cilët do të votonin kundër pezullimit të Belinda Ballukut nga detyra, do të krijonin premisat që ajo të vijonte të ishte në zyrë dhe t’i jepej Prokurorisë së Posaçme e gjithë mundësia të argumentonte se qëndrimi i saj si ministre, do të helmonte provat dhe do të vijonte të intimidonte dëshmitarët.
Por, pezullimi i saj nga detyra dhe më pas shkarkimi “i detyruar”, i jep të gjitha mundësitë Ramës që, nëpërmjet Ulsi Manjës, të argumentojë se “Belinda Balluku nuk ka arsye të arrestohet, pasi është e pezulluar (shkarkuar) nga detyra dhe nuk cënon provat dhe procesin penal në tërësi”.



