-640-0-467856707-10161420332281523-3266095167146116739-n-1780998966

Letër e hapur

Diçka nuk shkon, dhe kjo është më shqetësuese se të gjitha shqetësimet e mevetshme të marra së bashku.

Ishim rreth te njezetave atëherë. Më kujtohen rrugët që gumëzhinin nga entuziazmi, sikur prisnin ndeshjet vendimtare të një kampionati futbolli. Besonim se historia më në fund kishte sjellë erëra të ngjashme me ato që dikur zgjuan zemrat e rilindësve tanë. Ishte viti 2013 dhe ne e pritëm ardhjen tënde nëpër rrugët e rrënuara dhe rrugicat e ngushta që na kishin lënë trashëgim brezat para nesh me zellin e birit që i tregon me krenari të atit arat e familjes.

Zërat tanë ishin naivë, bindja jonë ndoshta e kufizuar nga mosha, por ishte e sinqertë. Besonim se ata që kishin ardhur para nesh nuk kishin ditur te te vlerësonin sa duhej kur e kishin pasur mundësinë. Nuk kishin arritur të nxirrnin dot një figurë tjetër si ti dhe, për këtë arsye, të konsideronim tonin. Ndiheshim si të vetmit të legjitimuar të krenoheshim me ty, sepse ti ishe mishërimi i ndryshimit e që na përkisje ne, ashtu si ne të përkisnim ty.

Më kujtohet sa të paaftë ishim të debatonim me ata që, edhe pse votonin për ty dhe shpresonin për një të ardhme më të mirë po aq sa ne, kishin më shumë përvojë dhe e kishin të vështirë të mos ushqenin dyshime të arsyeshme. Megjithatë, energjia që përshkonte çdo pore të lëkurës sonë të re ishte aq e fuqishme, sa edhe ata tundoheshin t’i dorëzoheshin në heshtje atij entuziazmi — si një njeri i lodhur nga hallet që, megjithëse skeptik, dëshiron t’i besojë një parashikimi të mirë.

Më kujtohet se nuk mund te kishte emision televiziv më tërheqës se sa ai ku i ftuar ishe ti. Debate që sfidonin çdo skenar. Gazetarë të etur për të të nxjerrë nga vetja, me shpresën se herët a vonë do të zbulonin tek ti një dobësi, të bindur se askush nuk mund të ishte aq i jashtëzakonshëm sa dukej. E megjithatë, herë pas here, nën presionin e pandërprerë të atyre përballjeve, ti shfaqeshe edhe më i fortë.

Dhe ja tek ishe, duke vërshuar si një lumë i rrëmbyeshëm fjalësh shqipe, duke e shtyrë gjuhën tone të pasur deri në kufijtë e saj dhe përtej tyre.

Kur e humbe besimin te vetja? Kur e humbe besimin se ne e meritonim ta shihnim ëndrrën tonë të bëhej realitet? Çfarë ndodhi me ne? Çfarë shkoi keq në marrëdhënien tonë? Pse ti dhe ne nuk jemi më një?