Do të mbahet sot në Tiranë protesta për lirinë e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë si të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Protesta, që do të nisë në orën 17:00, në Sheshin “Skënderbej” organizohet me moton “Liria ka emër” dhe pritet të mbledhë qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare
Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati në një konferencë për media më 14 tetor, tha se në këtë tubim do të mbajë fjalë ish-presidenti shqiptar Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Po ashtu, ai theksoi se nga Kosova drejt Tiranës do të nisen 60 autobusë.
Ndërkohë pritet të marrin pjesë edhe ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu. Kreu i grupit të PS, Taulant Balla ka deklaruar gjithashtu se deputetët e mazhorancës do ta mbështesin këtë protestë dhe pritet të jenë pjesë e saj.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka njoftuar sot se Rruga e Kombit do të jetë pa pagesë për 24 orë, për të lehtësuar qarkullimin e qytetarëve që udhëtojnë drejt Tiranës për protestë.
Partia Demokratike e Shqipërisë ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në tubim. I vetmi që i ka dalë nga “rreshti” Sali Berishës, ishte Fatmir Mediu, që në seancë e djeshme plenare tha se do të jetë i pranishëm në protestë.
Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dalë në mbështetje të protestës. Në një konferencë për media, Osmani theksoi se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë.
Përparim Rama, kryetari i Bashkisë së Prishtinës, dhe Lutfi Haziri, një nga drejtuesit kryesorë të LDK-së, do t’i bashkohen tubimit në mbrojtje të ish krerëve të UÇK-së.
Kryebashkiaku Rama ka njoftuar se ka nënshkruar një shkresë, e cila mundëson transport falas për të gjithë veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që do të protestojnë.
Gjatë ditës së djeshme kryeministri Edi Rama dhe Lëvizja Vetëvendosje u përfshinë në replika të forta mes tyre.
Prej 3 prilli të vitit 2023, në Gjykatën Speciale në Hagë po zhvillohet procesi kryesor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar.
Një tjetër protestë është mbajtur në Hagë, më 14 shtator, një ditë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes, ish-ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin. Protesta është mbajtur në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale, ku morën pjesë rreth 10 mijë shqiptarë nga e gjithë bota.



