fotojet-1759856761

Për herë të parë në historinë e Vlorës, një grua do të kandidojë për drejtimin e bashkisë. Partia Socialiste ka zgjedhur Brunilda Mersinin si kandidate për zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit, duke i besuar asaj garën për postin e kryebashkiakes së qytetit bregdetar.

Mersini, e cila deri më tani ka mbajtur postin e deputetes, do të lërë mandatin në Kuvend pas vetëm një muaji. Në vend të saj pritet të ulet Briseida Cakerri, që renditej pas saj në listën e zgjedhjeve të 11 majit.

Kandidatja e re e PS për Vlorën njihet për karrierën e saj në sektorin shëndetësor, ku ka shërbyer si drejtuese e Spitalit Rajonal të Vlorës, por gjithashtu është mjeke obstetër-gjinekologe dhe pedagoge në Universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë”.

Në opinion publik, emri i Mersinit është përmendur disa herë për lidhjet e saj me procedurat e tenderave të spitalit, të cilat kanë qenë objekt diskutimi për mungesë transparence dhe abuzime të dyshuara me fondet publike. Megjithatë, ajo ka ruajtur mbështetjen politike të strukturave të PS-së në Vlorë, që tashmë e propozojnë për të drejtuar qytetin.

Në CV-në e saj bie në sy një detaj interesant: Brunilda Mersini ka lindur në Sofje të Bullgarisë, por është rritur dhe arsimuar në Shqipëri, ku ka zhvilluar gjithë karrierën e saj profesionale dhe publike.

Që prej vitit 1912, Vlora ka pasur 24 kryetarë bashkie, të gjithë burra — dhe kandidatura e Mersinit shënon herën e parë që një grua garon për drejtimin e qytetit simbol të Pavarësisë. /gazetajone