Maxhoranca socialiste miratoi me 83 vota 9 projektligje të rendit të ditës që kanë të bëjnë me buxhetin e vitit të ardhshëm, paqen fiskale dhe rivlerësimin e pasurive.
Seanca maratone zgjati rreth 16 orë dhe u shoqërua me debate të ashpra mes shumicës dhe opozitës.
Gjatë votimit ra në sy fakti që deputeti Erion Braçe nuk mori pjesë në votimin e projektligjit “Për sistemin e taksave vendore”, ndërsa deputeti Vullnet Sinaj nuk votoi dy projektligjet “Për marrëveshjen e paqes fiskale” dhe “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë”.
Kryeministri Rama mbrojti buxhetin dhe investimet e parashikuara për vitin e ardhshëm, ndërkohë që opozita protestoi në mënyrë simbolike duke i kthyer kurrizin.
Qeveria ka refuzuar të bëjë publike listën e përfituesve më të mëdhenj nga falja e taksave. Por sigurisht që ato janë bizneset më të mëdha të vendit. Ndërkohë ligji tjetër, ai i paqes fiskale, i cili ul tatimin fitimin në 5 për qind mbi një prag të caktuar fitimi krahasuar me vitin parardhës, është po ashtu një masë që lehtëson drejtëpërdrejtë bizneset e sektorit më crony të ekonomisë, atë të ndërtimit.
Ndërtuesit e kullave apo resorteve mund të alokojnë fitimin në kohë si të duan. Për këtë kanë dhjetra rrugë, nga manovrimi me kohën e bërjes së kontratave të shitjeve deri tek ndryshimet e planit të pagesave nga klientët.
Pra ata e kanë të mundur të deklarojnë 100 lekë fitimin vitin e parë, 200 lekë vitin e dytë e kështu me radhë. Kjo është një mundësi që nuk e ka një market, një fermë bujqësore apo çfarëdo biznesi tjetër.
Paqja fiskale është në fakt një kalë troje për të ulur taksat për biznesmenët e preferuar të qeverisë. Këta janë ndërtuesit e kullave, komplekseve të pallateve dhe resorteve të bregdetit./kapitali



