Detaje të reja kanë dalë në dritë nga arrestimi i pesë personave në Sarandë, të dyshuar se kishin udhëtuar drejt qytetit për të kryer një atentat.
Mësohet se dy autorët që u kapën me armë, në zonën e Gjashtës, Sidorel Moriseni dhe Alfred Kaja 26 vjeç, ishin në afërsi të banesës së biznesmenit Rexhep Ismaili, i cili u vra në muajin maj të këtij viti në qytet.
Hetuesit po verifikojnë nëse ndalimi i tyre ka qenë rastësor apo nëse ngjarja mund të ketë lidhje me persona të afërt të Rexhep Ismailit.
Dyshimet paraprake janë se grupi mund të ketë pasur si objektiv një person në fshatin Gjashtë, por deri tani identiteti i tij nuk është bërë i ditur, pasi të arrestuarit nuk kanë pranuar të bashkëpunojnë me grupin hetimor.
Ndërkohë gjatë operacionit u arrestuan edhe tre persona të tjerë, të dyshuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Policia bën me dije se nga hetimet paraprake dyshohet se grupi kishte udhëtuar drejt Sarandës me qëllim kryerjen e një vrasjeje.
Gjatë kontrollit u sekuestruan 2 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, 1 silenciator dhe 2 automjete.



