Gjykata e Apelit të Selanikut ka vendosur në favor të ekstradimit të një biznesmeni shqiptar 53 vjeçar drejt Shqipërisë, në zbatim të një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar ndaj tij nga autoritetet shqiptare me akuzën e pastrimit të parave.
Lajmi i raportuar gjerësisht nga mediat greke nuk e cilëson emrin e biznesmenit, por dyshohet se ai është Ilir Shtufi.
“53-vjeçari, i cili e përshkruan veten si biznesmen, u arrestua muajin e kaluar në Selanik të Greqisë, në zbatim të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar ndaj tij nga autoritetet shqiptare,” shkruan The Greek Times.
Gjatë procesit, mbrojtja e personit të kërkuar deklaroi se akuza është e paqartë, duke pretenduar se Shqipëria po kërkon ekstradimin e tij për arsye politike.
“Jam sipërmarrës që nga viti 1994, menaxhoj mbi 20 kompani në Shqipëri, të fokusuara në sektorët e ndërtimit dhe energjisë,” tha 53-vjeçari në deklaratën e tij, duke cituar të dhëna sipas të cilave ai pretendon se është ndër sipërmarrësit kryesorë në vendin e tij për sa i përket deklarimit të taksave.
“Më akuzojnë se i shërbej opozitës në Shqipëri,” tha ai ndër të tjera, duke iu referuar një “persekutimi politik” ndaj tij, ndërsa shprehu shqetësimin nëse do të kishte një proces penal të drejtë në atdhe.
Lidhur me arsyen pse ndodhej në Selanik (ku u arrestua në një hotel të qytetit), ai theksoi se kishte ardhur “për një festë” dhe se deri atëherë nuk kishte qenë në dijeni se ndaj tij rëndonin akuza në Shqipëri.
Gykata e Apelit të Selanikut e pranoi kërkesën shqiptare, duke dhënë një vendim pro ekstradimit të tij (themeli i çështjes dhe akuzat ndaj tij në vendin e tij nuk u shqyrtuan, përveç plotësimit të kushteve për ekstradim).
Ndaj vendimit të mësipërm, 53-vjeçari ka të drejtën e ankimit, në mënyrë që kërkesa e palës shqiptare të rishqyrtohet nga kolegji penal kompetent i Gjykatës së Lartë./Kapital



