IMG_4913

Anëtari i grupit negociator të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, ka deklaruar se PD ka kërkuar një takim me të gjitha forcat opozitare për të diskutuar kandidaturën e Florjan Binajt për Bashkinë e Tiranës, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje nga Partia Mundësia e drejtuar nga Agron Shehaj.

Në reagimin e tij publik, Alimehmeti theksoi se PD ka qenë e hapur dhe ka respektuar të gjitha parimet e përzgjedhjes së kandidaturave, përfshirë edhe kërkesën e vetë Shehajt për një kandidat jopartiak. Ai bëri të ditur se kandidatura e Florjan Binajt është paraqitur si një propozim që plotëson çdo kriter të rënë dakord mes forcave opozitare, por pavarësisht kësaj, nuk ka pasur reagim nga ana e Partisë Mundësia.

“Z. Florjan Binaj është një kandidaturë e shkëlqyer qytetare, zë kritik dhe i guximshëm i shoqërisë. Ai ka treguar integritet dhe guxim në qëndrimet e tij kundër padrejtësive sociale e politike dhe ka ruajtur thjeshtësinë që e karakterizon një qytetar model,” – thuhet në deklaratën e Alimehmetit.

Në përfundim, PD i bën thirrje Agron Shehajt që të bashkojë forcat me opozitën në mbështetje të kandidaturës së Binajt, duke theksuar se kjo është një mundësi për të sjellë ndryshim në qeverisjen e Tiranës dhe për të përballur “modelin e abuzimit dhe arrogancës” që, sipas Alimehmetit, ka dominuar deri më tani.