Një kryetare bashkie që vihet totalisht në dispozicion të një ish-deputeti, të dy brenda së njëjtës forcë, por në dëm të një komuniteti shumë të madh, i cili sheh dita-ditës që prona e tyre të tjetërsohet. Bëhet fjalë për qytetaren e parë të Bulqizës, Festmie Mjeshtri, e cila ka shpërblyer me një pronë të stërmadhe ish-deputetin dhe prefektin në qarkun e Dibrës, Ardit Kaja, duke i dhënë plot 85 hektarë në fshatin Malcu, në Njësinë Administrative Martanesh.
Pak ditë më parë, Vox News investigoi dokumente zyrtare të Bashkisë Bulqizë, e cila njoftonte se kishte shpallur fituese një kompani për pronën gjigante. Ndërkohë, redaksia jonë siguroi të tjera dokumente ekskluzive, nga e njëjta bashki, të cilat duket se janë “qepur” totalisht për eksponentin tjetër brenda mazhorancës, Ardit Kaja dhe ortakët e tij, teksa ish-deputeti duket se ia kishte vënë syrin zonës prej shumë kohësh.
Vox News ka mësuar se Kaja ka shoqëruar gjithmonë Festimen në Martanesh, në dy zgjedhjet e fundit, madje edhe eksponentë të tjerë të mazhorancës, duke lobuar jo në favor të banorëve të zonës, por në interesat e tij tepër të ngushta private. Pikërisht me këto lidhje ai ka arritur që të shtjerë në dorë pasurinë, teksa dyshimet janë se, pikërisht përqindja që ai ka në aksionet e firmës, është në fakt “shpërblimi” që ka marrë për këto lobime.

Dokumentet që ka siguruar Vox News janë në fakt një dosje e gatshme për Prokurorinë e Posaçme, ku do të gjejë përqindjen e aksioneve apo edhe vendimet e miratimet me shpejtësi të Festime Mjeshtrit për dhënien në përdorim të kësaj prone të stërmadhe. Nëse në investigimin e mëparshëm dokumentet ishin nga QKB-ja dhe nga APP-ja, kësaj herë redaksia jonë ka siguruar dokumente të brendshme të Bashkisë së Bulqizës, të cilat janë të gjitha me emrin, firmën dhe vulën e Festimes.
Në fund të vitit të kaluar, Bashkia e Bulqizës dhe vetë Festimja miratuan me shpejtësi një projekt vendim “për miratimin në parim të dhënies në përdorim për ndërtimin aerogjenerator, fotovoltaik (stacionet, bazamentet dhe objektet përkatëse, në pasurinë me sipërfaqe totale 85.9 ha)”. Sipas saj, afati i dhënies me qira është mbi 10 vite me të drejtë rinovimi, sipas periudhës të përcaktuar në projekt dhe studimit të fizibilitetit të dorëzuar nga kërkuesi në konkurrim.
Në dokumente është shkruar mjaft qartë se prona është “kërkuar” nga firma ku aksioner është ish-deputeti dhe ish-prefekti i Dibrës, teksa veprimet e mëvonshme të Festimes apo edhe të vetë vartësve të saj, janë tepër të dyshimta. Në të gjithë dokumentet që ka siguruar redaksia jonë nuk ka asnjë konsultë me banorët vendas, nuk ka asnjë informacion për ta apo edhe për Njësinë Administrative Martanesh. S’ka asnjë shpallje ankandi në zonë. Gjithçka në heshtje, pasi bëhet fjalë për një plaçkitje.
Nëse ka apo jo interesa Festimja apo persona të tjerë, kjo mbetet për t’u verifikuar, pasi kompania fituese e këtij ankandi të paracaktuar ka 3 aksionerë, dy me nga 20 % të aksioneve dhe kryesori me 60 %. Por, ajo që bie erë në gjithë këtë histori është shpejtësia e veprimeve të vetë Festime Mjeshtrit, e cila ka sigluar një tjetër dokument për t’ia dhënë Kajës këtë sipërfaqe.
Po në datën 27 tetor 2025, disa minuta pasi u dha edhe projekt vendimi, Festimja i vuri emrin, firmën dhe vulën e saj një tjetër dokumenti, që bën fjalë për studimin tekniko-ekonomik për dhënie në përdorim të sipërfaqes në përdorim nga fondi pyjor dhe kullosor të sipërfaqeve në pronësi publike të Bashkisë Bulqizë.
Të gjithë janë vënë në “radhë” nga kryetarja, pasi për vetëm 5 ditë, nga urdhri me numër 491 i datës 22 tetor 2025, deri në datën 27 tetor, arritën të përpilonin një “mal me letra”.
Gjatë këtyre 5 ditëve, të gjithë zyrtarët hartuan dokumentet përkatëse për tjetërsimin e pronës me sipërfaqe prej 85.9 hektarësh. Grupi i punës përbëhej nga Arben Mera, përgjegjës i administrimit të pyjeve dhe Besnik Cukali e Ali Mirku, specialist të pyjeve.
Por, kush ishte kompania përfituese?!
Pak ditë më parë, Vox News publikoi dokumentin e shpalljes së fituesit të ankandit fiktiv të shpallur nga Bashkia e Bulqizës. “Vlera e shpallur fituese është 11.467.650 lekë/vit. Ofertuesi i shpallur fitues është subjekti ‘ALB-ML Solar Energy Investment’” thuhej në dokumente.
Sipas dokumenteve që disponon Vox News, kompania “ALB- ML Solar Energy Investment” është themeluar në muajin korrik të vitit 2025, nga Latif Miha, ish-deputeti e prefekti Ardit Kaja dhe Saimir Jakimi. Kapitali i kompanisë është vetëm 100 mijë lekë, ndërsa Miha zotëron 60 % të shoqërisë, teksa Ardit Kaja dhe Saimir Jakimi zotëron secili nga 20 % të firmës.
Vox News ka mësuar se një nga ortakët e kësaj shoqërie, Ardit Kaja, ka lidhje të forta me pushtetin. Ai ka qenë në vitin 2017 Prefekt i Dibrës, ndërsa më parë ka qenë drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës. Gjithashtu ka qenë edhe kryeinspektor i INUK, në Bashkinë e Tiranës në vitet 2010-2011. Ndërkohë, ai ka qenë për një legjislaturë edhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe më pas, drejtor i Zyrës së Punës në Dibër.



