INSTAT raporton për 2.2 milionë shqiptarë të shpërndarë në të gjithë botën, por kryesisht në kontinentin evropian. Teksa Shqipëria po plaket, me një moshë mesatare që ka kaluar 42 vjeç, diaspora është më e re, ekonomikisht aktive dhe me potencial të lartë kontributi në tregjet e punës të vendeve pritëse (afro 18% e shqiptarëve që jetojnë jashtë janë deri 14 vjeç, 77% i përkasin moshës 15-64 vjeç dhe vetëm 5% janë mbi 65 vjeç).
Ndër faktorët kryesorë të emigracionit të shqiptarëve dominojnë ato me natyrë ekonomike, si papunësia dhe varfëria, por edhe faktorë të tjerë të lidhur me shërbimet e shëndetit, bashkimin familjar apo mundësitë profesionale, shkruan Shqiptarja.com.
PSE EMIGROJNË SHQIPTARËT?
Për mundësi ekonomike 70%
Arsye familjare 16%
Arsimin 6%
Martesa, shëndet të tjera 8%
Emigrimi po përkthehet në një barrë të madhe për ekonominë, efekte që po ndjehen prej vitesh tashmë. Biznesit i mungojnë punonjës, ekonomisë i mungon konsumi dhe kontributet e mjaftueshme për skemën e pensioneve, është shtuar kostoja e punës dhe ulur produktiviteti.
PASOJAT E RËNIES SË POPULLSISË
– Mungesë punonjësish për biznesin
– Rritje e kostove për ekonominë
– Cenim i skemës së pensioneve
– Ulje e produktivitetit në ekonomi
– Tkurrje e të ardhurave dhe konsumit
– Rritje të remitancave
I vetmi efekt pozitiv ekonomik janë remitancat që vetëm rriten. Prej vitit 2010 deri në fund të vitit të kaluar, emigrantët sollën në Shqipëri 11.7 miliardë euro, nga të cilat vetëm në dekadën e fundit 2015-2025, remitancat përllogariten 8.2 miliardë euro, duke pasur një kontribut të rëndësishëm edhe në uljen e varfërisë në vend.
“Pothuajse gjysma e emigrantëve transferojnë një pjesë të të ardhurave të tyre në Shqipëri përmes remitancave. Vendimi për të dërguar remitanca është i lidhur pozitivisht me suksesin e emigrantëve në gjenerimin e të ardhurave dhe kursimeve jashtë vendit”, thotë INSTAT.
Vendet që numërojnë një numër të lartë të shqiptarëve, janë Italia, Greqia, Gjermania, Franca, si dhe Mbretëria e Bashkuar. Ishin shqiptarët që jetojnë kryesisht në këto vende, që votuan me dhjetëra mijëra në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 2025-ës në Shqipëri. Rreth 200 mijë morën pjesë në zgjedhje, një shifër e kënaqshme, në një kohë kur vota nga jashtë aplikohej për herë të parë.
Samiti i Diasporës që nis këtë të hënë, synon pikërisht ta riprezantojë vendin për të larguarit, si ftesë për tu rikthyer për të punuar, investuar dhe jetuar në Shqipëri.



