Prokuroria e Durrësit ka sekuestruar një sërë dokumentesh që lidhen me hetimet që po kryen mbi shkaqet e përmbytjeve në qytetin bregdetar.
Në qendër të verifikimeve që po kryhen prej 8 janarit është funksionimi i hidrovorit të këtij qyteti dhe procedura e tenderit të ndjekur për dhënien e tij.
Prokuroria i ka regjistruar hetimet për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Shkatërrimit të pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimit të pronës nga pakujdesia”.
Hetimi, siç tha në një komunikim zyrtar organi i akuzës, synon të zbulojë nëse shkaku i përmbytjeve lidhet vetëm me çështje natyrore, apo me mospërmbushje të detyrës dhe neglizhencë.
Qarku i Durrësit u përball prej ditësh me përmbytje masive të ardhura pas reshjeve të dendura të shirave. Nga analizat paraprake të verifikimeve në terren flitet për 5800 banesa të prekura, ku më problematike ishte zona e ish-kënetës.



