Kompania 2A Group, në pronësi të biznesmenit Valon Ademi, ka reaguar ashpër pas deklaratës së fundit të Behgjet Pacollit, duke e cilësuar përplasjen mes tyre si një “luftë për dinjitet dhe identitet kombëtar”, e jo për përfitime ekonomike.
Në reagimin e publikuar në rrjetet sociale, Ademi thekson se konflikti i ditëve të fundit “nuk ka të bëjë me paratë, por me mbrojtjen e flamurit dhe emrit Shqipëri”. Ai shprehet se pas projektit të “Vlora International Airport” fshihet emri i Bart Turtelboom, i njohur si përfaqësues i palës ruse në negociatat me Paris Club, duke lënë të kuptohet se në prapaskenë qëndrojnë interesa të huaja që kërkojnë të “blejnë simbolikën kombëtare”.
“Nuk jam në luftë për para, sepse sistematikisht deri në gusht Pacollit më ofruan ato. Jam në luftë për të mos humbur kuptimin e fjalës Shqipëri”, shkruan Ademi.
“Vlora International Airport nuk është një investim, por një pjesë e shpirtit të një kombi që ngrihet për të fluturuar mbi hijet që duan ta mbajnë poshtë.”
Konflikti mes dy ortakëve të aeroportit të Vlorës, Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi, ka nisur pas daljes nga koncesioni të grupit turk YDA, që zotëronte 40 % të aksioneve. Sipas dokumenteve, ato iu shitën kompanisë Mabco të Pacollit për vetëm 4200 euro, ndërsa më pas Mabco dhe 2A Group nënshkruan një marrëveshje për ndarjen e aksioneve — 53 % për Mabco dhe 47 % për 2A Group.
Megjithatë, këto kontrata nuk janë regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ndërsa Ademi pretendon se Pacolli e ka mashtruar duke e lënë me vetëm 2 % të aksioneve. Përplasja tashmë është zhvendosur në dyert e gjykatave, ndërsa Prokuroria e Tiranës ka ngritur një grup hetimor për të verifikuar ligjshmërinë e transaksioneve të lidhura me ndërtimin e aeroportit të Vlorës — një prej projekteve më të mëdha strategjike në vend.



