Polonia njoftoi mëngjesin e së mërkurës se i ka ngritur në ajër avionët luftarakë dhe e ka rrëzuar një numër të papërcaktuar dronësh rusë që kishin hyrë në hapësirën e saj ajrore, duke e quajtur këtë “akt agresioni”. Ushtria e Polonisë tha se dronët shkelën në mënyrë të përsëritur hapësirën ajrore polake mëngjesin e së mërkurës, pasi Rusia e kishte nisur një valë sulmesh ajrore në Ukrainë, përfshirë edhe afër kufirit me Poloninë.
Polonia tha se 19 objekte kishin hyrë në hapësirën e saj ajrore gjatë një sulmi të madh ajror rus ndaj Ukrainës dhe se kishte rrëzuar ato që përbënin kërcënim. Kryeministri Donald Tusk tha se kishte aktivizuar nenin katër të traktatit të NATO-s, sipas të cilit anëtarët e aleancës mund të kërkojnë konsultime me aleatët e tyre.
“Kemi të bëjmë me një provokim në shkallë të gjerë”, tha Tusk. “Jemi të gatshëm të zmbrapsim provokime të tilla. Situata është serioze dhe askush nuk dyshon se duhet të përgatitemi për skenarë të ndryshëm.”
Pas raportimeve për dronë rusë, aeroporter në Poloni, përfshirë më të madhin në Varshavë, u mbyllën. Aeroporti Chopin në Varshavë, më i madhi në vend, mbylli hapësirën e tij ajrore për disa orë përpara se të rihapej. Ai tha se do të kishte ndërprerje dhe vonesa gjatë gjithë ditës. Aeroporti në qytetin e Lublinit, në Poloninë lindore, mbeti i mbyllur.
Pjesa më e madhe e Ukrainës, përfshirë rajonet perëndimore të Volynit dhe Lvivit, të cilat kufizohen me Poloninë, kishin qenë nën alarm për sulme ajrore pothuajse gjatë gjithë natës, sipas forcave ajrore të Ukrainës.
Nga ana tjetër, Moska ka reaguar për herë të parë duke thënë se nuk ka asnjë provë që vërtetojnë se dronët ishin nga Rusia. Përfaqësuesi rus në Poloni tha se nuk ka prova që dronët ishin rusë. “Ne besojmë se këto pretendime janë të pabaza. Nuk ka asnjë provë që këta dronë janë me origjinë ruse”, thotë Andrey Ordash për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve RIA Novosti. Ai u thirr nga Ministria e Jashtme e Polonisë pas sulmit. Incidenti çoi në aktivizimin e Nenit 4 të NATO-s nga Polonia.



