Porti-i-porto-romanos-durres

Procedura e tenderit për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano është anuluar, pasi kompania e vetme që kishte mbetur në garë nuk paraqiti ofertë financiare.

Bëhet fjalë për kompaninë Archirodon, e cila nuk dorëzoi ofertën financiare brenda afatit të përcaktuar më 9 mars, duke bërë që procedura e prokurimit të ndërpritet.

Tenderi kishte një vlerë të parashikuar rreth 400 milionë euro dhe synonte ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, një projekt që qeveria e ka prezantuar si një nga investimet më të mëdha në infrastrukturën portuale të vendit.

Anulimi i procedurës vjen në një moment kur projekti ka qenë në qendër të debatit publik dhe kritikave nga aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë dhe vendas.

Pak ditë më parë, kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë, Grant Van Cleeve, i dërgoi një letër publike kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë, duke kërkuar shtyrjen e tenderit dhe rishikimin e projektit.

Sipas tij, ndërtimi i portit është një vendim strategjik që merret “një herë në 100 vjet” dhe projekti aktual rrezikon t’i heqë Shqipërisë mundësinë për të qenë konkurruese në rajon.

Ndërkohë, për procedurën e këtij tenderi ka nisur verifikime edhe SPAK, për të sqaruar nëse gjatë procesit të prokurimit ka pasur parregullsi apo shkelje.