atentat gilmando dani

Emisioni ”Në Shënjestër’ u rikthye këtë të martë në skenën e atentatit të Rinasit, ku mbetën të vrarë më datë 11 Nëntor 2025, Gilmando Dani dhe humbi jetën katër ditë më pas në spital efektivi i policisë Muçi Shaljani, që udhëtonte me të.

Atentat që vjen në dritën e dëshmive të reja dhe pistat ku grupi hetues është ndalur në zbardhjen e këtij krimi.

Pjesë nga dokumentari:

Por si mbërriti deri në vendin e krimit, makina e autorëve? Dhe si u shfaq ajo aty?

A ishte e mbushur zona me informatorë të cilët mbanin të informuar togën e qitësve, e cila siç thamë shfaqet në skenën e atentatit vetëm 2 minuta përpara se automjeti ku në bord janë Gilmando Dani dhe miku i tij Muçi Shaljani, të lerë parkingun e aeroportit ‘Nënë Tereza’ dhe të lëvizë drejt rrethit.

Cila ishte e shkuara e makinës që u përdor në krim dhe pse në orën që ndodhi atentati në zonë ishte ndërprerë energjia elektrike?

Gilmando Dani që siç del edhe më tej nga ekspertiza mjeko-ligjore, u gjet pa asnjë shenjë jete në sediljen e parë të automjetit ‘Mercedes Benz’ të drejtuar nga miku i tij Muçi Shaljani, ku plumbat e kishin marrë në kokë.

Plumba që kishin dëpërtuar deri në veshmbathjet e tij, apo edhe në çantën e dorës.

Dani kishte lëvizur nga aeroporti deri në makinën e mikut të tij që ndodhej në parking, me një kapele në kokë dhe një orë Rolex në dorë.

Por përveç dy aparateve të tij celularë, ku njëri mbante inicialin e emrit të tij, dhe sendeve personale, policia nuk gjeti në makinë asgjë të paligjshme.

Madje sasia e rrobave që kishte marrë me vete, të lë të kuptosh se udhëtimi i tij do të ishte i shkurtër në shtetin spanjoll.

Gjatë kqyrjes së kufomës së shtetasit Gilmando Dani, në ambjentet e IML, Tiranë, u konstatuan disa dëmtime në trup dhe një dëmtim në kokë, i shkaktuar nga kalimi i predhave të një arme zjarri. Nga trupi i viktimës u hoqën tre predha metalike, tre këmisha predhe dhe një bërthamë predhe”, thuhet në dosjen hetimore.

Sipas të dhënave të siguruara nga emisioni ‘Në Shënjestër’. targat e automjetit ‘Toyota’ që u përdor nga qitësit në krimin e vrasjes së Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit, rezultojnë të vjedhura në Greqi, gati pothuaj një vit më parë.

Një histori tashmë e ngjashme e cila përsëritet në çdo skenë krimi në Shqipëri, ku makinat e vjedhura brenda apo jashtë vendit, mbahen të magazinuara dhe më pas dalin dhe përdoren në skena krimi të ndryshme, sikurse duket se ka ndodhur edhe në atentatin e fundit në Rinas.

Ndërsa makina me të cilin udhëtonin tashmë dy viktimat i përket një kompanie, e cila është në pronësi të Elvis Kosovës i njohur si Visi i Garave që merret me shitje dhe blerje makinash, si dhe ka marrë pjesë në disa gara me makina.

Elvis Kosova rezulton se një vit më parë është arrestuar së bashku me një shtetas turk, i identifikuar si Yucehan Er, pasi përmes një skeme mashtrimi kanë tentuar që të përvetësojnë një automjet tip ‘Audi’ me vlerë 200 mijë euro.

Ndërsa në korrik të këtij viti, atij iu vendos tritol në garazh, në zonën e Kopshtit Zoologjik në Tiranë.

Nga verifikimet paraprake, rezulton se targat greke XZX 1059, janë kallëzuar të vjedhura me datë 28 Tetor 2024, në shtetin grek, dhe i përkasin një automjeti të markës Opel Corsa, me pronar po një shtetas grek.

Gjithashtu, nga verifikimet në sistemin E-gjoba, rezulton se automjeti ‘Mercedes Benz’ me targa AB 099 UO, me ngjyrë të bardhë me të cilët udhëtonin i dëmtuari dhe viktima figuron i regjistruar në emër të kompanisë ‘Mel Construction’”, thuhet në dosjen hetimore.

Por cilat ishin lëvizjet e Gilmando Danit dhe Muçit Shaljanit në shtetin spanjoll?

Dhe si ishte e mundur që një agjent i Mbikqyrjes Policore të lëvizte bashkë me një kontigjent të tillë kriminal Gilmando Dani që nuk kishte vetëm 6 muaj që kishte dalë nga burgimi, në akuzën për gjobëvënie ku ishte dënuar në vitin 2018 me 12 vite burgim, por që kishte dalë me vetëm 2/3 e dënimit?

Nga verifikimet të sistemin Tims, rezulton se shtetasit Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani kanë regjistruar dalje nga territori i Republikës së Shqipërisë me datë 7 Nëntor 2025, nëpërmjet pikës së kalimit kufitar Rinas, si dhe kanë regjistruar hyrje në territorin e Republikës së Shqipërisë më datë 11 Nëntor 2025, po në pikën e kalimit Kufitar Rinas”, thuhet në dosjen hetimore.

Por ajo që bën habi në udhëtimin e tyre është se Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani duhet të ktheheshin në Shqipëri një ditë më herët, pra më datë 10 Nëntor, dhe jo më 11 kur ranë pre e atentatit.

Kjo pasi fluturimi i tyre loë coast me kompaninë ‘Ëizz Air’, ishte anuluar duke shtyrë kështu me 24 orë kthimin e tyre në atdhe, por që ky anulim nuk duket se i shpëtoi pasi vrasësit kishin informacion të saktë lidhur mbi lëvizjet e tyre, pse jo edhe për anulimin e fluturimit.

Çka lë të mendosh se burimi i informacionit ka qenë fare pranë tyre ose vrasësit mund t’i kenë ndjekur deri në Spanjë.

Ndërkohë që është ende e paqartë arsyeja e vizitës së shkurtër të Danit dhe Shaljanit në Spanjë.

Sipas të dhënave të siguruara nga pamjet filmike ajo që është arritur të konfirmohet është fakti se makina me togën e qitësve vjen nga e njëjta rrugë nga e cila më pas largohet.

Për qëllime të hetimit janë sekuestruar dhe administruar pamjet filmike të marra nga subjekte të ndryshme private në vendin e ngjarjes si dhe përgjatë itinerarit që dyshohet se kanë përshkruar autorët për t’u afruar dhe larguar nga vendi i ngjarjes.

Nga kqyrja paraprake e kamerave të sigurisë së ‘A.. Hotel’ rezulton se më datë 11 Nëntor 2025, në orën 14:08, nga rruga e vjetër e Fushë Krujës (Rruga e hurmave) shfaqet duke ardhur në drejtim të rrethit të Rinasit, një automjet në dukje i markës ‘Toyota’ me targa të huaja, i cili ndalon dhe qëndron për disa minuta me bllokazh në trotuarin përpara subjektit ‘A.. Hotel’”, thuhet në dosjen e hetuesve.

Por për të mësuar se si Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani udhëtuan së bashku, grupi hetues nisi kërkimet edhe për mënyrën se si ata siguruan biletat e udhëtimit për në Spanjë.

Nga ku rezultoi se këto bileta nuk ishin prerë nga ata vetë, por nga një person i tretë që ishte paraqitur në emër të Muçi Shaljanit dhe që duket se kishte njohje të vjetra me administratoren e agjencisë së udhëtimit.

“Nga verifikimet paraprake, rezulton se këta dy shtetas kanë udhëtuar sëbashku dhe biletat e udhëtimit janë prerë në agjensinë e udhëtimeve ‘L… Travel’, Tiranë, me administratore shtetasen D. Ç.

E pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit, shtetasja D. Ç, ka deklaruar se në agjensinë e udhëtimve të saj ka të punësuar pesë punonjëse, të cilat së bashku me të merren me rezervimin e biletave të udhëtimeve me avion, autobus, etj..

Rezervimet e udhëtimeve sipas saj bëhen me anë të paraqitjes fizike të klientëve pranë agjencisë ose nëpërmjet numrit të telefonit të kompanisë”, thuhet në dosje.

Por në rastin konkret D. Ç pranoi se prerja e biletave nuk ishte bërë nga vetë personat fizikë. Por nga një njohje e saj shoqërore, prej disa vitesh i cili prenotonte shpesh bileta në agjencinë e saj.

Jo vetëm për personin e tij, por edhe për familjarë dhe lidhje të tija shoqërore.

Siç kishte bërë edhe herën e fundit që kishte kontaktuar me të si administratore e agjencisë. Ku kishte kërkuar dy bileta udhëtimi.

Vetëm dy ditë përpara se Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani të udhëtonin drejt Barcelonës në Spanjë.

Më datë 5 Nëntor 2025 shtetasi R. T, ka prerë dy bileta në emër të shtetasve Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani.

Biletat e avionit janë rezervuar për datën e nisjes 7 Nëntor 2025, ora 19:15 nga Rinasi për në Barcelonë me datë kthimi 10 Nëntor 2025. Por në këtë datë, pra më 10 Nëntor 2025, rreth orës 22:17 në emailin e agjensisë sonë të udhëtimeve mbërriti një njoftim se fluturimi i kthimit ishte anulluar. Për këtë fakt unë komunikova me shtetasin R. T që të njoftonte pasagjerët Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani”, ka pranuar D.Ç.

Vetë D. Ç, administratorja e agjencisë turistike ku Dani dhe Shaljani kishin prerë biletat, tha për grupin hetues se udhëtimi u vendos të kryhej vetëm disa orë pas anulimit Më datë 11 Nëntor ora 11.20, me nisje nga Barcelona Dhe do të zgjaste 2 orë e 10 min.

“Sikurse ju bëra me dije udhëtimi i anuluar nga kompania ‘Ëizz Air’ u shty për më datë 11 Nëntor 2025 me orar nisje nga Barcelona në orën 11:20 dhe orar mbërritje në Tiranë në orën 13:55. Biletat për këto dy pasagjerë u rezervuan dhe u paguan nga shtetasi R.T.

I cili mi dërgoi të dhënat e tyre nëpërmjet telefonit në aplikacionin ‘ËhatsApp’”, tha ai.

D. Ç tha më tej se ajo nuk kishte asnjë njohje qoftë me Gilmando Danin, ashtu edhe me Muçi Shaljanin.

Ndërsa kishte mundur të kuptonte që R.T, njohja e saj e vjetër shoqërore që prenotoi edhe biletat, kishte lidhje familjare me Muçi Shaljanin.

“Unë nuk kam komunikuar dhe nuk kam kontaktuar asnjëherë me shtetasit Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani, dhe sipas asaj që kam kuptuar R.T mund të ketë lidhje familjare me shtetasin Muçi Shaljani. Gjithashtu deklaroj se lidhur me datën dhe orën e fluturimit, përveç meje, punonjëseve të agjensisë së udhëtimit, dhe shtetasit R. T, mund të kenë patur dijeni edhe personeli i aeroportit të Rinasit të cilët kanë informacion dhe akses në listën e udhëtimeve (fluturimeve) dhe të udhëtarëve”, tha ai.

Por shumë pikëpyetje kanë mbetur të paqarta mbi ngjarjen. Si ajo e fikjes së dritave në zonën përreth krimit, një histori e ngjashme si ajo në vrasjen e Gentjan Bejtjas në fshatin Nikël në Fushë-Krujës, ajo e Ravik Gurrës në Elbasan apo edhe ajo e Gëzim Sinomatit që u qëllua me snajper në Vlorë.

Ku në të gjitha rastet, grupet kriminale shfrytëzojnë mungesën e energjisë në zonën ku do të kryhet krimi.

Mungesë energjie që në rastin e fundit është argumentuar nga OSHEE, si e paralajmëruar. Pasi sipas tyre ka një njoftim që në orën 00.00 të mbrëmjes së datës 10 Nëntor për fikjen e dritave në zonë.

Ndërkohë që lidhur mbi këtë rast, në OSHEE zbarkuan edhe oficerë të policisë gjyqësore.

Prishje pazaresh apo goditje nga Emiljano Shullazit? Lidhja e atentatit në Rinas me Durim Bamin

Në investigimin e emisionit, janë bërë të qarta lidhjet mes grupeve rivale të botës së krimit, ndërsa zbulohet se pistat kryesore në lidhje me masakrën janë hakmarrje nga Troplinët e Durrësit mbi faktin që Danbi mund t’u ketë vënë gjobëvënie, ose një hakmarrje nga Durimn Bami mbi ngjarje të së shkuarës.

Pjesë nga dokumentari:

Por cilat janë pistat ku grupi hetues është ndalur në hetimin e vrasjes së Gilmando Danit dhe mikut të tij të ndjerë Muçi Shaljani.

Cila ishin përplasjet e Gilmando Danit me grupet e tjera rivale?

Dhe a u mor miratimi nga Nikla për ekzekutimin e tij?

A është baza e arsenalit të armëve të gjetura në banesën e shtetasit Ylli Zalla, në fshatin Zall në Fushë-Krujë, baza nga ku u furnizuan dhe dolën për qitje, trupa e pushkatarëve që eleminuan Gilmando Danin?

Ylli Zalla që kishte vuajtur më herët një dënim të ngjashëm për armënbajtje pa leje, pasi në banesën e tij iu gjetën armë të shumta zjarri dhe që pas kontrollit të fundit në banesë, ai nuk u gjet aty.

Në kuadër të operacionit ‘Tracking’, Policia e Tiranës, ka gjetur në banesën e shtetasit Ylli Zalla, një personazh problematik me të shkuar kriminale, një arsenal të tërë armësh. Ku 48-vjeçari dyshohet se në atentatin e ndodhur në Rinas, ku humbën jetën Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani, ka pasur rol ndihmës, për sigurimin e armëve që u përdorën në krimin e rëndë. Ku gjatë kontrollit u gjetën mina me celularë, armë, tritoll, armë automatike dhe pushkë”, deklaron policia e Tiranës.

Por kush ishin banesat e para që u kontrolluan nga policia dhe përse grupi hetues u përqëndrua te ‘të fortët’ e Niklës dhe të Vlorës, konkretisht vëllezërit Valter Bami dhe Durim Bami.

Gilmando Dani i cili siç thamë kishte shumë hesape të hapura, pasi ishte dënuar nga drejtësia shqiptare me 12 vite burgim për akuzën e gjobëvënies ndaj biznesmenit të kompanisë Ylvi Beqja në Tiranë si pjesë e bandës së Emiljano Shullazit.

Ndërkohë që ishte shoqëruar për ngjarje tjera të rënda penale, teksa u mbijetoi dy atentateve mafioze në vitet 2011 dhe 2015. Dani që ishte liruar nga burgu vetëm një vit më parë, në tetor 2024.

Ndërsa kreu i grupit të tij kriminal, Emiljano Shullazi, ndodhet në burg pasi krahas dënimit me 14 vite burgim për gjobëvënie, ai po gjykohet edhe për vrasjen e shtetasve Vajdin Lamaj dhe Artan Arsi në shkurt të vitit 2005.

Teksa ndaj tij ka një masë sigurie për akuzën e sigurimit të kushteve për të vrarë Marklen Hakën.

Grupi i Emiljano Shullazit që ka disa konflikte të hapura me grupin e Marklen Hakës dhe Durim Bamit të njohur si ‘të fortët’ e Niklës si dhe me klanin Troplini në Durrës.

“Lidhur mbi ngjarjen ku humbën jetën Gilmando Dani dhe shtetasi Muçi Shaljani, janë ushtruar kontrolle në banesat e vëllezërve Xhuljan dhe Lefter Kullaj,

Ervin Kodra, Valter Bami, Gentian Koçi, vëllezërve Edion dhe Fatmir Bami si dhe Zyber Bami. Kontrolle në banesat e këtyre shtetasve ku nuk janë gjetur sende të kundaligjshme.

Ndërkohë që shtetasit Valter Bami, Gentian Koçi dhe Zyber Bami nuk janë gjetur në banesë, ndërsa shtetasit Xhuljan dhe Lefter Kullaj, Ervin Kodra, Edison dhe Fatmir Bami, janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore Tiranë dhe u janë marrë faktorë plotësues të qitjes si dhe janë përpiluar vendimet përkatëse për kryerjen e ekspertimit kimike”thuhet në dosjen hetimore.

Por përse grupi hetues ka dyshime se pas atentatit në Rinas ku objektivi ishte Gilmando Dani qëndron Durim Bami dhe a ka lidhje kjo me atentatin e dështuar të ndodhur në janarin e vitit 2015, në Qafën e Kasharit ku Emiljano Shullazi dhe Gilmando Dani u qëlluan në një pritë të organizuar në këtë zonë ndërsa po ktheheshin nga Fushë-Kruja për në drejtim të Tiranës, pas njoftimit që kishin marrë se në rrugën e Kavajës në Tiranë, po këtë mbrëmje ishte qëlluar miku i tyre Pajtim Serjani.

Atentat që 5 vite më pas u pasua me atë ndaj Durim Bamit në Tapizë të Fushë-Krujës, ku mbeti i plagosur kushëriri i tij, Ervin Kodra.

Por që vetëm bisedat në Sky Ecc, filluan të zbulonin aleancat fluide midis grupeve kriminale si dhe kush tashmë ishin kthyer në kundërshtarë.

Siç janë edhe ato midis ish-deputetit socialist Arben Ndoka që siguronte të dhëna nga Emiljano Shullazi në lidhje me lëvizjet e Durim Bamit.

Të dhëna që do t’i nevojiteshin Ndokës dhe klanit të tij familjar për mënyrën sesi do të ekzekutohej Durim Bami.

Ndoka që kishte humbur vëllain e tij në një atentat, që thuhet se mori pranë vetes edhe Gentjan Bejtjan dhe Naim Stafukën, përkatësisht mikun dhe vëllain e të zhdukurit Enver Stafuka, fati i të cilit ende nuk dihet edhe sot.

Teksa ata dyshonin se në zhdukjen e tij kishte gisht Durim Bami arsye për të cilën u bënë palë me ish-deputetin Ndoka që thirri në ndihmë për vrasjen e ‘të fortit’ të Niklës edhe Astrit Avdylin,

‘Të fortin’ e Shijakut, që në këtë kohë ndodhej në burg pasi ishte arrestuar në kuadër të operacionit ‘Volvo 4’ si dhe dilte në përgjime me ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dakon në dosjen e bujshme ‘339’ .

Arben Ndoka sipas SPAK, bashkëpunoi me Aldo Avdylin, nipin e Astrit Avdylit për vrasjen e Durim Bamit.

Aldo Avdyli i cili u strehua në Lezhë në ambientet e siguruara nga ish-deputeti dhe kur të ishte e nevojshme do të hynte në lojë duke ekzekutuar ‘të fortin’ e Niklës’ ku plani ishte që vëllai i Durim Bamit, Valteri të merrej peng. Teksa rrugës, në lojë hyjnë edhe Arben Mërkuri i njohur si ‘Maneci’ i cili u vra në vitin 2022 në Durrës, i cili do të luante rolin e ekzekutorit.

Ndërsa Gjin Ndoj, vrasja e të cilit u urdhërua nga Martinaj, po ashtu do të kishte rolin e vëzhguesit të Durim Bamit.

Ndoka që bëri pakt edhe më Bajrat e Shkodrës, konkretisht me Behar Bajri Brajoviq, që nëse Durim Bami shkonte tek shtëpia e tyre, ishin ‘gati ta grinin’.

Por i paduruar për të mbaruar punë, Arben Ndoka kërkoi vrasës me pagesë edhe në Kosovë.

Siç është edhe kjo bisedë me Ervis Martinaj.

“Më datë 13 Qershor 2020, Arben Ndoka bisedon me Ervis Martinaj dhe i tregon në lidhje me grupin e vrasësve me pagesë nga Kosova që ka gjetur.

Arben Ndoka: ‘Kam gjet një grup nga Kosova, që bëjnë punë, janë super.’

Ervis Martinaj: ‘Ti jap unë pagesat e tyre’.”

Pjesë e kësaj dosje që lidhet me planin për vrasjen e Durim Bamit është edhe ajo më herët në janar të vitit 2020. Në një bisedë që zhvillohet në Sky Ecc mes Marklen Hakës dhe Emiljano Shullazit. Ky i fundit që edhe pse ndodhet në burg, përdor jo vetëm një celular, por edhe Sky.

Marklen Haka që e informon Emiljano Shuillazin për lëvizjet e Durim Bamit me një makinë të blinduar ‘Range Rover’.

Bisedat në Sky:

Emiljano Shullazi: Kape… mos ja zgjat shumë. Se jam këtu dhe robt e mi që janë jashtë, e kanë pak problem të vijnë në Nikël dhe të mbarojnë punë. Po të jem vetë e mbaroj aty te dera e shtëpisë. Ky legeni që është këtu në burg, Rraja (Redjan Rraja), thotë që Duri është më i fuqishmi aty. I bën reklamë.

Ai Duri i ka çuar haber atij Ndokës (Arben Ndokës) që të nxjerr kë të duash përveç Valterit dhe më jep garanci që e mbyllim bashkë.

Si t’ja bëjmë me e kap k… me e rrjep me e torturuar, ishalla ta mbysin fort. Se tani s’ka blind që e ruan.

Ndërsa në muajin mars të vitit 2020, Emiljano Shullazi komunikon me Arben Ndokën, duke i dhënë informacione për lëvizjet e Durim Bamit, por pa i thënë që këto informacione i merrte nga Marklen Haka.

Bisedat Sky Ecc

Emiljano Shullazi: Po më thotë që rri aty te Oxhaku shumë dhe del edhe pa blind te lokal ‘A…’ dhe me shumë se 20 minuta nuk rri.

Rri me çunin e xhajës së vet, atë Koçin (Gentian Koçi) dhe Ervin Kodrën nga Tapiza. Kemi folur me nja dy veta dhe ishalla e bëjnë (e vrasin).

Do terezi ai m… se del një ditë dhe rri gjithë javën pa dalë. Shohim mos po i vjen ora.

Unë jam tek cili variant të dali më para, vetëm të iki. Se do dalin të gjitha pastaj, kush ka dhënë e kush ka gjuajtur. I flet Valteri të gjitha pastaj sa t’i thuash e ke radhën ti.

Bisedat vijojnë edhe me persona të tjerë që kanë bashkëpunuar me qëllim vrasjen e Durim Bamit, por në asnjë rast nuk arrijnë ta realizojnë.

Në një moment, në gusht të vitit 2020, Arben Ndoka bisedon me Ervis Martinaj, për faktin që Shullazin e kishin izoluar në regjimin e posaçëm ‘41 Bis’.

Një tjetër episod i dosjes së SPAK, lidhet me bashkëpunimin e Ervis Martinajt me Satilno Bashon për vrasjen e Fatmir Hysenit, i njohur si ‘Doqja’, për të cilin shfaq interes edhe Emiljano Shullazi.

Për të dokumentuar aktivitetin kriminal të Satilno Bashos, SPAK ka verifikuar edhe komunikimet e tjera që ai ka kryer, ku mes tyre bien në sy bisedat me Emiljano Shullazin, i cili ndodhet në burg.

Nga bisedat Prokuroria ka vënë re bashkëpunimin e tyre me qëllim lokalizimin e Fatmir Hysenit, Armando Sulejmanit dhe personave të tjerë të lidhur me ta.

Nga konteksti i bisedave vihet re që Emiljano Shullazi ka dyshime se këta të dy persona janë përfshirë në vrasjen e Edison Harizajt, ngjarje e ndodhur më 6 nëntor 2018, në Durrës.

Harizaj që njihej ndryshe si ‘Edison Faqedjeguri’ apo edhe ‘Edisoni i 7 pallateve’ në Vlorë.

Vrasja e tij që ndodhi në zonën e plazhit, në rrugën e njohur si ‘Rruga e Çamëve’ dhe nga të shtënat mbeti i plagosur edhe miku i tij, Genci Caci.

Automjeti tip “Audi”, në të cilën udhëtonin Edison Harizaj dhe Genci Caci, u qëllua me breshëri kallashnikovi.

39-vjeçari Edison Harizaj i cili ka qenë i skeduar si i përfshirë në disa ngjarje kriminale në vend.

Ai ka qenë krahu i djathtë i Emiljano Shullazit dhe ka qenë i dënuar me 10 vite burg për vrasje. Dënim që e kishte përfunduar në vitin 2010.

Bisedat Sky Ecc”

Emiljano Shullazi: Njërin duhet ta marrim peng që të dimë kush qëllon dhe të dimë se ku të trokasim pastaj.

Ku ma gjen dot ‘Doqen’?

Emiljano Shullazi që me Satilno Bashon shkëmben mesazhe edhe në prill të vitit 2020, duke biseduar edhe për çështje të tjera, siç ishte vrasja e Leonard Dukës.

Që sipas Shullazit do të merrnin pagesë të mirë.

Por sipas tij, fillimisht duhej të mbyllte problemet me gjyqin, pasi në atë kohë Satilno Basho ndodhej me masë ‘arrest shtëpie’.

Por edhe pse realizuan disa atentate ndaj Durim Bamit, ky i fundit mundi tia hedhë paq.

Por ndërkohë që Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka, ishin në luftë me kohën për të eleminuar Durim Bamin, as ky i fundit nuk ndejti duarkryq.

Por u organizuan njëkohësisht si të mbrohej ashtu edhe të sulmonte.

“Në zonën e Fushë-Krujës grupi kriminal i drejtuar nga Durim Bami

shfaqet në konflikt të hapur me grupet e Ervis Martinaj dhe Arben Ndokës”, thuhet në dosje.

Kështu Durim Bami për t’u mbrojtur vendos të bëjë aleancë me kundërshtarët e përbetuar të Ervis Martinajt, Leonard Dukën dhe Endrit Doklen.

Durim Bami që vihet menjëherë në ndjekje të Arben Ndokës.

Bashkë me Xhelal Rrajën, vëllain e ish-deputetit socialist Rrahman Rraja, dikur koleg të të njëjtit grup parlamentar me Ndokën, nisin të thurin planin për ekzekutimin e tij.

Endrit Dokle, ish kreu i një prej fraksioneve të Bandës së Durrësit, që i shpëtoi dënimit me burgim përjetë duke u liruar me kusht, do të siguronte informacion për lëvizjet e Ndokës, ndërsa Marklen Haka, merr përsipër të gjejë togën e vrasësve.

“Durim Bami, Endrit Dokle, Xhelal Rraja dhe Marklen Haka janë organizuar me qëllim vrasjen e Arben Ndokës, më datë 28 Janar 2021. Në momentin kur ky do të shkonte për qokë në Rrugën e ‘Elbasanit’, pasi kishte ndërruar jetë një gjyqtar nga Lezha”, thuhet në dosje.

Nga komunikimet del se atë ditë Durim Bami shkoi në vendin ku mendohej se mund të vinte Arben Ndoka me qëllim vrasjen e këtij të fundit.

E priti deri në mesditë, por Ndoka nuk mbërriti.

Edhe një ditë më vonë, Durim Bami komunikon me Doklen për të mësuar informacion të ri për lëvizjet e ish-deputetit Ndoka.

Endrit Dokle i tregon se do të paguajë çfarëdo lloj shume për ta marrë këtë informacion, por nuk kishte ndonjë informacion të ri.

Pavarësisht përpjekjeve të tyre, vrasja e Arben Ndokës nuk u realizua.

Nga ana tjetër, edhe Ervis Martinaj aleat me Ndokën ishte vënë në ndjekje të kundërshtarëve të tij më të egër, vëllezërve Duka ku grupi i Ervis Martinaj, mësohet se kishte thurur një plan për të vrarë Fatmir Hysenin, njohur si ‘Doçja’ dhe vëllain e tij Armand Hyseni.

Fatmir Hyseni që del se është një nga kundërshtarët e Emiljano Shullazit.

Dhe në këtë rast edhe të Gilmando Danit.

Fije të ngatërruara interesash që duket se aty ku bashkohen edhe ndahen për vdekje.

Ndërsa Gilmando Dani thuhet se kishte llogari të hapura edhe me Troplinët në Durrës të cilëve u kishte vendosur gjobë.

Por deri më tani është e vështirë në mos e pamundur për të kuptuar se kush e shkrepi në të vërtetë armën e zjarrit ndaj Gilmando Danit.

Apo ishte ky atentat një mënyrë për ti prerë krahun e djathtë të mbetur jashtë qelisë. Emiljano Shullazit?/Në Shënjestër/