Pak orë para rifillimit të bisedimeve indirekte mes SHBA-së dhe Iranit në Gjenevë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Teherani “refuzon” të diskutojë programin e tij të raketave balistike, duke e cilësuar këtë si një “problem shumë të madh”.
Një ditë më parë, Trump akuzoi Iranin se po punon për të zhvilluar raketa që mund të arrijnë territorin amerikan, duke pretenduar se Republika Islamike ka tashmë kapacitete që kërcënojnë Evropën dhe bazat amerikane në Lindjen e Mesme. Ai shtoi se SHBA ka dislokuar në rajonin e Gjirit forcën ajrore më të madhe që nga lufta e Irakut në vitin 2003.
Nga ana tjetër, Teherani i hodhi poshtë akuzat, duke i cilësuar si “gënjeshtra të hapura”. Sipas një raporti të Kongresit amerikan të publikuar vitin e kaluar, sistemet raketore iraniane kanë një rreze efektive deri në 3,000 kilometra, distancë që nuk arrin territorin e SHBA-së.
Negociatorët iranianë kanë mbërritur në Gjenevë duke shprehur optimizëm për raundin e ri të kontakteve me Uashingtonin. Delegacioni amerikan do të përfaqësohet nga i dërguari special Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Ndërkohë, Trump ka paralajmëruar mundësinë e veprimeve ushtarake nëse nuk arrihet një marrëveshje. Ai ka deklaruar më herët se sulmet ajrore amerikane të qershorit 2025 “eliminuan” programin bërthamor iranian, një pretendim që mbetet i debatueshëm.



