Foreign Policy/ Për dekada me radhë, historia zyrtare e operacionit të parë të fshehtë të Perëndimit kundër një regjimi komunist ka qenë pothuajse e padiskutueshme.
Sipas këtij rrëfimi, në fund të viteve 1940 dhe fillim të viteve 1950, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar organizuan një seri operacionesh sekrete në Shqipëri, duke hedhur me parashutë grupe emigrantësh shqiptarë me synimin për të depërtuar në vend dhe për të krijuar kushtet për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës.
Dështimi spektakolar i misionit është atribuuar prej kohësh tradhtisë së agjentit të dyfishtë britanik Kim Philby, i cili dyshohej se njoftonte Moskën, e cila më pas informonte Tiranën.
Por një studim i ri i politologut Stephen Long, i botuar në librin A Rich Harvest of Bitter Fruit: CIA and MI6 Covert Action in Communist Albania at the Dawn of the Cold War, sfidon këtë version të historisë.
Pas një pune të gjerë në arkiva dhe dhjetëra intervistash, Long argumenton se shumë nga bindjet e deritanishme janë të pasakta.
Sipas tij, objektivi fillestar i operacionit nuk ishte domosdoshmërisht përmbysja e regjimit komunist. Londra dhe Uashingtoni kërkonin të kuptonin sa i qëndrueshëm ishte pushteti i Hoxhës, nëse ekzistonte opozitë e organizuar dhe çfarë mund të ndodhte në rast të një dobësimi të regjimit.
Në atë kohë ekzistonte edhe frika se një rrëzim i menjëhershëm i Hoxhës mund të sillte ndërhyrje nga Jugosllavia, Greqia apo Italia, duke rrezikuar copëtimin e Shqipërisë.
Në fund të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ishte një vend i përçarë politikisht.
Përveç kundërshtarëve të regjimit komunist, edhe vetë udhëheqja e Hoxhës përjetonte spastrimet, arrestimet dhe gjyqet politike që krijonin përshtypjen se regjimi mund të shembej nëse përballej me presion të mjaftueshëm.
Për të mbledhur informacion nga brenda vendit, CIA dhe MI6 rekrutuan dhjetëra emigrantë shqiptarë të vendosur në kampet e refugjatëve në Evropë. Ata u trajnuan në Maltë dhe Gjermaninë Perëndimore për përdorimin e armëve, komunikimet sekrete, orientimin në terren dhe teknikat e mbijetesës.
Fillimisht u organizuan zbarkime detare nga britanikët, ndërsa më vonë amerikanët përdorën avionë C-47 për të hedhur ekipet me parashutë në territorin shqiptar.
Megjithatë, pothuajse çdo mision hasi probleme që në fillim. Disa agjentë u tërhoqën para nisjes për shkak të konflikteve politike mes tyre.
Misione të tjera u shtynë për shkak të motit të keq. Shpesh ekipet ishin të pajisura dobët, me veshje të papërshtatshme për dimrin shqiptar dhe me mungesë furnizimesh.
Edhe kur arritën të futeshin në Shqipëri, shumë prej tyre zbarkuan kilometra larg zonave të planifikuara. Në disa raste, banorët vendas kuptuan menjëherë se në zonë kishin rënë parashutistë, duke bërë që Sigurimi i Shtetit të mobilizohej menjëherë.
Disa ekipe u detyruan të fshiheshin për ditë të tëra në pyje dhe më pas të tërhiqeshin drejt Jugosllavisë ose Greqisë pa realizuar asnjë objektiv.
Misione të tjera përfunduan edhe më tragjikisht. Dhjetëra agjentë u kapën ose u vranë menjëherë pas zbarkimit dhe kontakti me ta humbi përgjithmonë. Brenda gjashtë viteve të operacionit, rreth 36 për qind e pjesëmarrësve rezultuan të vrarë, të zhdukur ose të arrestuar.
Long argumenton se arsyeja kryesore nuk ishte aktiviteti i Kim Philby-t.
Sipas tij, Bashkimi Sovjetik nuk kishte interes të rrezikonte një nga agjentët më të rëndësishëm për një operacion në Shqipëri, një vend me rëndësi të kufizuar strategjike krahasuar me objektivat e tjera të Luftës së Ftohtë.
Në vend të kësaj, autori identifikon dy shkaqe kryesore të dështimit.
Së pari, shumë nga emigrantët shqiptarë nuk kishin përvojën e nevojshme për operacione të fshehta. Informacioni për misionet përhapej shpesh në komunitetet e emigrantëve, duke përfunduar në duart e autoriteteve shqiptare.
Së dyti, CIA dhe MI6 bënë gabime serioze operative. Oficerët amerikanë shpesh refuzonin të pranonin se ekipet e tyre ishin komprometuar.
Në disa raste, edhe pasi merrnin sinjale të qarta se agjentët kishin rënë në duart e Sigurimit, ata vazhdonin të dërgonin ekipe të tjera në të njëjtat zona, duke i ekspozuar ndaj të njëjtit fat.
Operacioni përfundoi në vitin 1955 pa arritur objektivat e tij. Enver Hoxha mbeti në pushtet edhe për tri dekada të tjera, ndërsa historia e këtyre misioneve u mbulua për vite nga miti se gjithçka kishte dështuar vetëm për shkak të tradhtisë së Kim Philby-t.
Sipas Stephen Long, dokumentet e reja tregojnë një tablo shumë më komplekse. Dështimi ishte rezultat i planifikimit të dobët, mungesës së koordinimit, mbivlerësimit të aftësive të shërbimeve perëndimore dhe nënvlerësimit të Sigurimit të Shtetit shqiptar.
Për autorin, kjo histori mbetet një nga shembujt më domethënës të mënyrës se si gabimet strategjike dhe arroganca institucionale mund të kenë pasoja më të mëdha se veprimet e një spiuni të vetëm.



