bankers

Një nga historitë më të rënda të abuzimit me pasuritë natyrore në Shqipërinë postkomuniste mbetet dhënia me koncesion e vendburimit më të madh të naftës në vend, Patos–Marinëz.

Kontrata e dhënë kompanisë “Bankers Petroleum” është kthyer në simbol të mungesës së transparencës dhe të mbrojtjes së interesave publike, duke lënë në hije përgjegjësit kryesorë të këtij skandali.

Edhe pse janë bërë tre muaj nga arrestimi i disa drejtuesve e ish-drejtuesve të kompanisë, dosja vazhdon të mbetet e paqartë.

Pyetjet kryesore ngrihen mbi mungesën e hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë që miratuan marrëveshjen, drejtuesve të institucioneve që mbyllën sytë përpara shkeljeve, si dhe bankave ku janë mbajtur llogaritë e fshehta të kompanisë.

Në Shqipëri, aty ku të ardhurat e naftës do të duhej të përktheheshin në rrugë, shkolla apo spitale, pasuria e nëntokës ka shërbyer për kulla luksoze, resorte dhe pasuri të grupeve të lidhura me këtë aferë.

Hetimet e kryera deri më tani kanë zbuluar se nga viti 2005 deri në vitin 2025, Bankers ka eksportuar naftë bruto me vlerë afro 600 miliardë lekë.

Megjithatë, fitimi i raportuar ka qenë minimal, duke ngritur dyshime të forta për shmangie fiskale. Në materialet e prokurorisë janë të dokumentuara edhe përgjime të punonjësve të kompanisë, ku flitet qartë për mbajtjen e llogarive aktive në Shqipëri, ndërkohë që paratë kalonin në një llogari të padeklaruar pranë bankës “Raiffeisen” në Austri.

Kjo llogari nuk figuron as në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, as në tatime, duke e bërë më të dyshimtë mënyrën si qarkullonin miliardat e naftës shqiptare.

Një tjetër moment i errët është gjoba prej 100 milionë eurosh që iu vendos kompanisë nga Doganat në maj të vitit 2019. Vendimi u pezullua papritur nga ish-ministrja e Financave, Anila Denaj, duke i shpëtuar Bankers nga një detyrim i madh financiar.

Gjoba më pas nuk u ekzekutua kurrë, dhe kjo vendimmarrje mbetet edhe sot një pikëpyetje serioze për lidhjet politike që mbrojtën kompaninë.

Megjithë këto fakte, Prokuroria e Fierit ka preferuar të mbajë dosjen në duart e saj, duke deklaruar se “po e heton vetë”. Ndërkohë, SPAK – i ngritur për të ndëshkuar të paprekshmit dhe për të çrrënjosur lidhjet mes politikës, biznesit dhe krimit – ende nuk ka marrë në dorëzim rastin. Ky qëndrim shihet nga opinioni publik si një formë amnistie për zyrtarët dhe aktorët që kanë lejuar vijimin e abuzimeve.

Ndërsa disa individë janë vendosur para drejtësisë, bashkëpunëtorët shqiptarë, institucionet që nuk kontrolluan dhe bankat që pranuan qarkullimin e parave jashtë rregullave nuk janë prekur fare nga hetimet. Kjo e bën më të dukshme se fijet e aferës nuk ndodhen vetëm te drejtuesit e huaj të kompanisë, por edhe në zyrat e shtetit, në bankat kryesore të nivelit të dytë dhe tek ndërtimet gjigante që janë ngritur me ato para.

Sot, kur flitet se Bankers është në proces ndryshimi pronësie, lind një tjetër dyshim i fortë: a ishte i gjithë ky aksion një manovër për të larguar aksionerët kinezë dhe për t’ia kaluar pasurinë e nëntokës njerëzve të lidhur me pushtetin aktual?

Nëse SPAK nuk e merr këtë dosje për ta hetuar deri në fund, atëherë rreziku është që skandali i Patos–Marinzës të mbyllet si dhjetëra afera të tjera të tranzicionit. Shqiptarët kanë të drejtë të dinë ku përfunduan miliardat e nxjerra nga nëntoka e tyre dhe kush janë përfituesit e vërtetë, përtej disa arrestimeve simbolike. Deri atëherë, dosja “Bankers” mbetet një provë e madhe për besueshmërinë e drejtësisë shqiptare. /gazetajone