Teksa qytetarët i janë drejtuar ujit të ambalazhuar si alternativë më e sigurt, në treg ka qarkulluar ujë i kontaminuar me tregues fekal.
Ka qenë ankesa e një qytetari që ngriti në këmbë institucionet për të analizuar ujin mineral natyral 1.5 litra, i cili pas analizave të kryera nga ISHP rezultoi i kontaminuar me tregues fekal (E. coli 2).
Escherichia coli, kur gjendet në ujë të pijshëm, mund të shkaktojë:
* Dhimbje barku
* Diarre
* Të vjella
* Temperaturë
* Dehidratim
Sipas raportit të KLSH, subjekti prodhues i ujit ndodhet në Qarkun e Elbasanit, dhe pas rezultatit të analizave është gjobitur nga AKU me vlerën 300.000 lekë dhe i janë bllokuar 6.800 litra ujë i ambalazhuar.
E drejta e çdo konsumatori është të dijë se cili është subjekti që hodhi në treg ujin e pasigurt për konsum.
Në lidhje me këtë rast, televizioni “Ora News” iu drejtua me një kërkesë për informacion AKU.
Ky institucion refuzon të na vërë në dispozicion emrin e subjektit, me arsyetimin se dhënia e këtij informacioni “i shkakton subjektit dëme reale në aspektin tregtar dhe ligjor, veçanërisht kur preket marka tregtare dhe pozicioni i saj në treg”.
AKU ka vendosur të bëhet “avokat” i subjektit privat, pasi shprehet e shqetësuar për prishjen e imazhit të subjektit, dhe jo për faktin që shëndeti i qytetarëve u vu në rrezik si pasojë e konsumimit të ujit me bakterin e rrezikshëm.
Në këtë rast, ky institucion refuzon të zbatojë ligjin për të drejtën e informimit, i cili në nenin 1, pika 1 garanton të drejtën e çdo personi për të pasur akses me informacionin publik që zotërohet nga institucionet dhe autoritetet shtetërore.
Jo vetëm kaq. AKU ka refuzuar të informojë publikun edhe mbi asgjësimin e 6.800 litrave të bllokuara, me arsyetimin se dokumentacioni përmban të dhëna teknike të detajuara.
Të njëjtin informacion, por për një tjetër subjekt, “Ora News” ia ka kërkuar disa kohë më parë AKU dhe ka marrë përgjigje; praktikisht kemi dy standarde të ndryshme për të njëjtën kërkesë. Me sa duket, AKU ka subjekte preferenciale, për të cilat del mbi ligjin dhe nuk jep informacion.
Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit ngrihet shqetësimi se qytetarët nuk janë informuar, ndonëse ligji parashikon detyrimin për njoftim publik në rastet që paraqesin rrezik për shëndetin./ oranews



