-640-0-whatsapp-image-2026-06-05-at-205910-1780686358

Atmosfera në protestën e zhvilluar në bulevard është shoqëruar me flamuj kombëtarë, pankarta dhe thirrje të shumta kundër klasës politike, ndërsa mijëra qytetarë kanë ndezur blicet e telefonëve, duke krijuar një panoramë mbresëlënëse në qendër të Tiranës.

Mes thirrjeve për ndryshim politik dhe largimin e qeverisë, protestuesit kanë artikuluar edhe slogane të forta kundër institucioneve dhe përfaqësuesve politikë.

“Revolucion!” dhe “Armiku është në Parlament!”, ishin disa nga thirrjet që u dëgjuan gjatë tubimit.

“Rama dhe Berisha, jeni të pushuar nga puna!”/ Flamuj, pankarta

Tubimi është zhvilluar në një atmosferë të ngarkuar me mesazhe politike, ndërsa protestuesit kanë deklaruar se do të vazhdojnë mobilizimin e tyre për kërkesat që kanë ngritur prej disa ditësh, ku kryeson largimi i kryeministrit Edi Rama.

“Rama ne ta grisim kontratën!”, tha një prej tyre.

Një prej protestuesve iu drejtua me tone të ashpra kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD, duke deklaruar se ata nuk përfaqësojnë më vullnetin e qytetarëve.

“Si Berisha dhe Rama të hapin veshët dhe të dëgjojnë mesazhin që vjen qartë nga ky shesh. Ju nuk na përfaqësoni më”, u shpreh ai.

Protestuesi shtoi se, sipas tij, një pjesë e madhe e qytetarëve brenda vendit dhe në diasporë kërkojnë ndryshim politik.

“Shumica e popullit shqiptar në shesh dhe ata në diasporë kanë një mesazh të qartë për ju: Rama dhe Berisha, jeni të pushuar nga puna”, deklaroi ai mes thirrjeve të protestuesve.