fvdvfd-6aa4eba35eaef

Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë publikisht për marrëdhënien e tij me biznesmenin Ergys Agasi, pas arrestimit të këtij të fundit. Në podkastin e tij “Flasim”, gjatë një monologu me Rudina Xhungën, Rama nuk e mohoi se ka pasur një marrëdhënie të afërt njerëzore me Agasin, por u përpoq ta ndajë këtë afërsi nga çdo përgjegjësi politike apo institucionale.

Rama tha se shumë njerëz mund të pretendojnë se flasin në emrin e tij, por sipas tij askush nuk është autorizuar prej tij të flasë apo të veprojë në emër të kryeministrit dhe të shtetit.

“Afërsia me mua e një njeriu apo e një njeriu tjetër, nuk është funksion publik. As fotografia, as raportet personale dhe as pretendimi që unë e kam me atë, unë flas në emër të atij. Unë nuk kam autorizuar ndonjëherë ndonjë njeri që të flasë në emrin tim apo të bëjë punët e shtetit në emrin tim”, u shpreh Rama.

Kryeministri pranoi se i vjen keq kur persona me të cilët ka pasur marrëdhënie njerëzore përfundojnë të ekspozuar si njerëz me probleme me ligjin, por shtoi se ndihet “i çliruar”, pasi sipas tij secili përballet vetë me drejtësinë.

“Patjetër që mua më vjen keq që gjendem në situatën kur një njeri që unë kam pasur një marrëdhënie njerëzore për një arsye apo një tjetër, ekspozohet si një njeri që ka probleme me ligjin. Por nga ana tjetër jam tërësisht i çliruar sepse përtej keqardhjes, secili atje është përballë ligjit me veten dhe avokatin e vet. Në emrin tim nuk flet kush. Në emrin tim flas vetëm unë”, tha Rama.

Deklarata e kryeministrit vjen në një moment kur emri i Ergys Agasit është lidhur publikisht me afërsinë e tij me Ramën dhe me ndikimin që ai dyshohet se ka pasur pranë pushtetit. Por, ashtu si në raste të tjera kur ministra, ish-zyrtarë apo njerëz të afërt me të kanë përfunduar në telashe me drejtësinë, Rama zgjodhi të distancohet duke e kthyer përgjegjësinë në çështje individuale.

Me pak fjalë, kryeministri pranoi afërsinë njerëzore, por jo përgjegjësinë politike. Për Ramën, kur njerëzit e afërt janë në pushtet, afërsia është marrëdhënie; kur dalin para drejtësisë, ajo kthehet thjesht në fotografi.