Bashkia Tropojë njofton se disa qytetarë janë bllokuar nga reshjet e dendura të dëborës në zonën e Bjeshkës së Javorrit, ndërsa drejt tyre është nisur një grup i parë mjetesh dhe punonjësish.
Megjithatë, për shkak të kushteve tejet të vështira atmosferike dhe trashësisë së dëborës mbi 70 cm, mjetet nuk kanë mundur të arrijnë deri në pikën ku ndodhen të bllokuarit.
Në këto rrethana, Bashkia ka vendosur të dërgojë trupa dhe mjete shtesë, me qëllim garantimin e sigurisë së jetës së qytetarëve të bllokuar, si edhe të forcave që po marrin pjesë në operacionin e shpëtimit.
Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë e ndërhyrjes me helikopter, nëse kushtet në terren e kërkojnë një gjë të tillë.
Më herët u raportua se mes personave të bllokuar janë edhe dy të moshuar.



