-640-0-0003b86d-6677-4ba3-acc1-dff43ae55aa8-sd-1750141461

Largimi i papritur i Donald Trump nga samiti i G7-ës në Kanada ka ngjallur spekulime të shumta, teksa tensionet mes Izraelit dhe Iranit janë në një pikë kritike. Trump, i cili u nis me avionin presidencial drejt Uashingtonit, mohoi zërat se qëllimi i largimit ishte ndërmjetësimi i një armëpushimi mes dy vendeve.

Në një postim në rrjetin e tij Truth Social, Trump reagoi ndaj deklaratës së presidentit francez Emmanuel Macron, i cili kishte pohuar më herët se Trump po kthehej në SHBA për të negociuar një armëpushim. “Ai nuk e di pse unë jam nisur për në Uashington,” shkroi Trump. “Por nuk ka lidhje me armëpushimin. Është një çështje shumë më e madhe.” Ai mbylli postimin me frazën e koduar: “Qëndroni të lidhur!”

Pavarësisht mohimeve të Trump, Macron deklaroi nga samiti se ekziston një ofertë për bisedime me qëllim ndërprerjen e luftimeve dhe nisjen e një dialogu të zgjeruar. “Ka një ofertë për takim dhe bisedime, për të arritur armëpushimin dhe për të nisur më pas diskutime të tjera,” tha presidenti francez.

Ndërkohë, mediat amerikane raportojnë se një njoftim i rëndësishëm nga Trump pritet së shpejti, çka ka shtuar më tej spekulimet për një përfshirje të tij në zhvillimet mes Izraelit dhe Iranit. Disa burime të cituara nga Axios tregojnë se Shtëpia e Bardhë po planifikon një takim të nivelit të lartë mes zyrtarëve amerikanë dhe iranianë këtë javë, me fokus marrëveshjen bërthamore dhe shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm ushtarak.