Sherri i “nëntokës” dhe pastrimit të parave? Si nisën grushtet Alban Papushi dhe Valter Përshpalaj në zonën VIP te Lollipop në Palasë
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga përplasja e dhunshme e ndodhur dje në klubin e natës “Lollipop” në Palasë, një ngjarje që tronditi pushuesit dhe ngriti pikëpyetje serioze për sigurinë në zonat turistike.
Sipas burimeve policore nga vendngjarja, konflikti nisi në zonën VIP të lokalit me një përplasje fizike mes disa personave, për të degraduar më pas në përdorim sendesh të forta dhe, sipas dëshmitarëve, edhe të shtënave me armë, megjithëse kjo pjesë nuk është konfirmuar zyrtarisht nga klubi.
Në qendër të sherrit përmenden emrat e Alban Papushit, Valter Përshpalajt, Fatjon Përshpalajt dhe Xhulio Sorrës, të cilët dyshohet se kanë qenë protagonistë të përplasjes.
Burime të ndryshme i përshkruajnë disa prej tyre si persona të përfshirë në aktivitete informale ekonomike dhe me precedentë penalë, ndërsa për disa raste janë ngritur më herët dyshime për përfshirje në veprimtari si qarkullimi i parave të dyshimta, konflikte të dhunshme dhe aktivitete të tjera të paligjshme.
Ngjarja në Palasë ka nxjerrë në pah një problem më të gjerë që lidhet me përzierjen e turizmit me elementë të botës së krimit, ku konfliktet shpërthejnë në ambiente publike dhe shpesh mbeten pa reagim të menjëhershëm institucional.

Deri në këtë fazë, nuk ka një njoftim zyrtar nga policia për arrestime apo masa konkrete lidhur me incidentin, ndërsa mbetet e paqartë nëse do të ketë hetim të thelluar për atë që ndodhi brenda klubit.
Ngjarja ka rikthyer debatin mbi sigurinë në zonat turistike dhe nevojën për reagim më të fortë ndaj episodeve të dhunës që përfshijnë persona me precedentë dhe aktivitete të dyshimta. /gazetajone



