karburante-new-768x504-1-750x492

Në Tiranë për disa pika çmimi i naftës ka arritur 182 lekë për litër. Krahasuar me çmimin e shitjes së naftës me pakicë para nisjes së luftës, rezulton se rritja është 7 lekë për litër.

Para nisjes së sulmeve në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës ishte 175 lekë për litër. Në treg rezulton se çmimi prej 175 lekë për litër ka qenë i qëndrueshëm prej tetorit të 2024-s, pra prej më shumë se 1 viti.

Ndërkohë prej të mërkurës, rreth 4 ditë pas nisjes së sulmeve në Lindjen e Mesme çmimi në tregun e pakicës u rrit me 4 lekë, duke arritur në nivelet e 179 lekë për litër. Ndryshimi i çmimit u reflektua në disa pika në Tiranë të operatorit “Elda”, ndërsa mbeti i pandryshuar te pikat e furnizimit me pakicë në autostradë.

Rritja të çmimit të naftës është shënuar edhe në bursat e huaja. Çmimi i naftës brent crude është 88.9 USD për fuçi. Para nisjes së sulmeve çmimi i naftës brent crude në bursë ishte 65 USD për fuçi.

Ndërsa çmimi i naftës të rafinuar, sipas operatorëve ditën e premte, para sulmit, u ble me 700 USD për ton. Pas sulmit, çmimi u rrit në 900 USD për ton. Por pas mbylljes së rafinerisë “Ras Tanura” në Arabinë Saudite, për shkak të një sulmi me dron, çmimi i naftës së rafinuar në bursat ndërkombëtare arriti 1,150 USD për ton.