Kodi i ri Penal është hedhur për konsultim gjatë kësaj javë ku pritet që në vijim, publiku dhe grupet e interesit të japin amendimet e tyre. Gazeta pa draftin ku u ndal te çështja e sigurisë ushqimore. Në draftin e ri të Kodit Penal, janë futur disa ndryshime të rëndësishme lidhur me sigurinë ushqimore, duke synuar ndëshkimin e prodhimit dhe tregtimit të ushqimeve që mund të jenë të rrezikshme për konsum.
Sipas dispozitave të reja, këto vepra përfshijnë prodhimin e ushqimeve të pasigurta, mashtrimin me produktet ushqimore, paraqitjen e rreme të tyre dhe shkeljen e shenjave të vendosura nga autoritetet shtetërore.
Në nenin 458, parashikohen dënime me burg për personat që prodhojnë, përpunojnë, ruajnë, tregtojnë, importojnë ose eksportojnë ushqime dhe pije në kundërshtim me standardet ligjore. Po ashtu, përfshihet përdorimi i kimikateve apo lëndëve të dëmshme tek kafshët dhe bimët që shërbejnë për konsum. Dënimi për këto shkelje varion nga gjashtë muaj deri në katër vjet burgim.

Një nga veprat e reja të penalizuara është ofrimi i ushqimit të pasigurt, që përfshin therjen e kafshëve ose përdorimin e produkteve shtazore, duke pasur dijeni për trajtimin e tyre me substanca të ndaluara. Po ashtu, konsiderohet vepër penale edhe hedhja në treg e mishit ose produkteve shtazore pa respektuar periudhat ligjore të pritjes. Për këtë shkelje parashikohet dënim deri në katër vjet burgim.
Neni 460 trajton mashtrimin me produktet ushqimore, duke përfshirë importimin, prodhimin, ruajtjen, falsifikimin, reklamimin ose tregtimin e ushqimeve me informacione të rreme për cilësinë, prejardhjen, kategorinë apo përbërjen e tyre. Dënimi për këtë vepër mund të arrijë deri në tre vjet burg.
Gjithashtu, paraqitja e rreme e produkteve ushqimore, që lidhet me ndryshimin e të dhënave mbi skadencën ose përbërjen e tyre, ose tregtimi i ushqimeve që nuk janë të përshtatshme për konsum, dënohet deri në gjashtë muaj burg.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është kriminalizimi i shkeljes së shenjave të autoriteteve shtetërore në fushën e sigurisë ushqimore, përfshirë heqjen ose ndryshimin e shenjave bllokuese të vendosura nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Nëse aktiviteti vijon pavarësisht bllokimit, dënimi mund të shkojë deri në tre vjet burgim.



