Personat që janë mbi 55 vjeç ishin sa një e treta e zgjedhësve që kishin të drejtë vote në zgjedhjet e pjesshme të zhvilluara dje në 5 bashki, Vlorë, Berat, Cërrik, Mat, Tepelenë.
16% e zgjedhësve me të drejtë vote ishin të grupmoshës 55-64 vjeç dhe 18.4% të grupmoshës mbi 65 vjeç, sipas të dhënave zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Megjithatë preferenca e tyra për kandidatët që garonin për kryetarë bashkie është vendimtare për rezultatin final të zgjedhje, për shkak të interesit dhe gatishmërisë të tyre shumë më të lartë për të votuar, në krahasim me votuesit më të rinj.
Sipas të dhënave zyrtare nga KQZ, ndonëse përbënin 34.4% të zgjedhësve në listë, grupmosha mbi 55 vjeç dha 50% të votave në total, ose 15.5 pikë përqindje më shumë se pesha e tyre në totalin e listës së zgjedhësve.
Grupmosha më aktive në votime është ajo mbi 65 vjeç, që dha 27.6% të votave, kur përbën 18.4% të listës së zgjedhësve.
Interesi më i lartë nga kjo grupmoshë ka qenë në Mat e Tepelenë, ku më shumë se gjysma e të regjistruarve mbi 65 vjeç kanë shkuar të votojnë dhe më pak në Vlorë, me 18%.



