Një ngjarje tragjike ka tronditur sot Indinë dhe opinionin ndërkombëtar. Një avion pasagjerësh i kompanisë Air India, i nisur nga Ahmedabad drejt aeroportit të Londrës Gatwick, është rrëzuar vetëm pak sekonda pas ngritjes, duke përfunduar në një zonë të banuar të quajtur Meghani Nagar.
Sipas autoriteteve indiane, në bordin e fluturimit AI171 ndodheshin 232 pasagjerë dhe 12 anëtarë ekuipazhi. Avioni, një Boeing 787-8 Dreamliner, humbi kontaktin me radarët në një lartësi prej vetëm 625 këmbësh (190 metra), sipas të dhënave të Flightradar24.
Pamjet e para nga vendngjarja tregojnë tymë të zi dhe të dendur që ngrihet mbi zonën e rrëzimit, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke u zhvilluar me intensitet të lartë. Ministri i Aviacionit të Indisë deklaroi se janë mobilizuar të gjitha forcat e emergjencës dhe ndihma mjekësore po dërgohet me urgjencë në vendin e ngjarjes. Një korridor i gjelbërështë krijuar për transportimin e të plagosurve në spitale.
Kryeministri i shtetit të Gujaratit, Bhupendra Patel, ka kërkuar që ndihma dhe përkujdesja për të mbijetuarit të realizohet “me përparësi maksimale dhe në mënyrë të koordinuar”.
Kompania Air India ka reaguar përmes një deklarate zyrtare në platformën X, duke e quajtur këtë një “aksident tragjik”. “Me hidhërim të thellë konfirmojmë përfshirjen e fluturimit AI171 në një aksident të rëndë. Mendimet dhe ngushëllimet tona më të thella shkojnë për familjet e të prekurve nga kjo ngjarje shkatërruese”, deklaroi drejtuesi i kompanisë, Natarajan Chandrasekaran. Ai shtoi se është ngritur një qendër emergjence dhe ekipe ndihmëse janë vendosur në dispozicion të familjarëve.
Ndërkohë, Aeroporti i Ahmedabadit është mbyllur përkohësisht për të gjitha fluturimet deri në një njoftim të dytë.
Në pritje të konfirmimit të viktimave dhe të dhënave të plota rreth shkaqeve të aksidentit, autoritetet indiane kanë nisur hetimet për të zbardhur këtë tragjedi që tronditi Indinë dhe komunitetin global të aviacionit. /gazetajone



