39-vjeçari Ismet Gaxherri u arrestua sot nga “Shqiponja”, pasi iu gjet armë zjarri pa leje. Gjatë një kontrolli në bulevradit “Bajram Curri”, Gaxherrit iu gjet një pistoletë në automjetin e tij tip “Benz”. Ai u arrestua për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Bulevardi”.
Lëvizte në bulevardin “Bajram Curri”, me pistoletë në automjet, arrestohet nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, 39-vjeçari.
Sekuestrohet arma e zjarrit me krehër dhe fishekë.
Në vijim të operacioneve policore, kundër armëmbajtjes pa leje, të zhvilluara si rezultat i punës së mirorganizuar operacionale dhe informative, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, finalizuan operacionin “Bulevardi”.
Në bazë të informacioneve të siguruara, në bulevardin “Bajram Curri”, u ndalua automjeti tip “Benz” me drejtues shtetasin I. G., 39 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit, u gjet në automjet, 1 armë zjarri pistoletë me municion, të cilët 39-vjeçari e posedonte pa leje.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, shtetasi I. G. u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Por kush është Ismet Gaxherri
Ismet Gaxherri është një emër i njohur për autoritetet. Emri i tij doli në skenë në vrasjen e Enton Nikaj, në vitin 2015, ku 39-vjeçari mbeti i plagosur. Mësohet se Gaxherri është pronari i lokalit “Muraga”, në zonë e Linzës, ku ndodhi vrasja, ngjarje për të cilën ka qenë në kërkim Ervis Martinaj, mbreti i lojërave të fatit, ndërsa sot rezulton i zhdukur pa gjurmë.
Sipas Prokurorisë asokohe, Ismet Gaxherri, i cili shoqëronte viktimën Enton Nikaj, ka ndërhyrë në sherrin që mori jetën këtij të fundit. Menjëherë personat agresorë kanë goditur me pjesën fundore të pistoletës Gaxherri, i cili është rrëzuar në tokë, i gjakosur.
Çfarë ndodhi në 2015-ën?
Gjithçka ndodhi në lokalin “Muraga” në pronësi të Gaxherrit, i cili mbërriti atë ditë bashkë me mikun e ti, viktimën Enton Nikaj. Ndërkohë, brenda në lokal ndodhej Evis Martinaj. Ky i fundit i është afruar Nikajt, duke i thënë “O çuni hajde një sekondë”. Ata janë konfliktuar me njëri-tjetrin, ku Martinaj me të pandehurit e tjerë për ngjarjen, kanë dhunuar Nikajn. Aty ka ndërhyrë Gaxherri, i cili më pas është qëlluar me armë në qafë.
Brenda pak çasteve, agresorët pasi hipën në makinë, qëlluan me armë në drejtim të Nikajt, duke i shkaktuar atij vdekjen. Ndryshe nga çfarë ishte pretenduar se shkak për ngjarjen ka qenë një borxh 200 mijë euro, që Gaxheri ia kishte Ervis Martinajt, i plagosuri asokohe mohoi këtë fakt. /zeri



