-900-0-1760534917xscreenshot-2-10-150

Agustin Prenga 57 vjeç dhe gruaja e tij Valbona Prenga 53 vjeç janë arrestuar pasi kanë gënjyer në dëshminë e tyre gjatë gjyqit në Gjykatën e Lezhës për një vrasje të dyfishtë të ndodhur në vitin 1997. Konkretisht Valbona Prenga dhe burri i saj po dëshmonin në lidhje me vrasjen e motrës dhe bashkëshortit të kësaj të fundit, kryer nga vëllai i saj.

Çifti Prenga kanë dhënë dëshmi që bien në kontradiktë me dëshmitë e tyre të mëparshme, në lidhje me rrethanat e ngjarjes së ndodhur në vitin 1997. Aktualisht autori, njëherësh vëllai i 53-vjeçares është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje.

Njoftimi i policisë:

Arrestohen 2 shtetas (bashkëshortë), pasi dhanë dëshmi të rreme, dje, gjatë një procesi gjyqësor në lidhje me vrasjen e 2 shtetasve, në vitin 1997, në Mirditë.          

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në  drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, vunë në pranga shtetasit:

V. P., 53 vjeçe, dhe A. P., 57 vjeç, banues në Lezhë, bashkëshortë, për veprën penale “Dëshmia e rreme”.   

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi dje, gjatë një procesi gjyqësor në Gjykatën e Lezhës, kanë dhënë dëshmi që bien në kontradiktë me dëshmitë e tyre të mëparshme, në lidhje me rrethanat e ngjarjes së ndodhur në vitin 1997, në fshatin Rrasfik, Mirditë, ku shtetasi Gj. L. (vëllai i shtetases V. P.), ka vrarë me armë zjarri, motrën dhe bashkëshortin e saj, gjatë një konflikti për motive të dobëta. Autori i kësaj ngjarjeje po vuan dënimin me burgim të përjetshëm, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.