Me justifikimin e mbrojtjes së të dhënave personale, kryeministri Edi Rama i ka vënë drynin transparencës mbi faturat, itineraret dhe marrëveshjet e fluturimeve të tij jashtë vendit. Vendimi është miratuar në mbledhjen e qeverisë të drejtuar nga vetë Rama, duke përcaktuar se udhëtimet e tij duhet të konsiderohen “konfidenciale”.
Në dokumentin zyrtar, që ndryshon funksionet e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, thuhet se:
“DSHQ negocion kontrata kuadër me kompani ajrore, rrjete hoteliere dhe agjenci udhëtimi dhe nënshkruan kontrata konfidencialiteti, me qëllim ruajtjen e informacionit të detyrueshëm mes palëve në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale, sipas legjislacionit përkatës.”
Ky ndryshim i ri e fut çdo itinerar, orar apo shpenzim udhëtimi të kryeministrit në kategorinë e informacionit të mbrojtur. Në thelb, qeveria ka zyrtarizuar mungesën e transparencës për udhëtimet e Ramës, një praktikë që ka ekzistuar prej vitesh, por tashmë mbulohet me petkun e “të dhënave personale”.
Ndërsa për qytetarin e thjeshtë mbrojtja e të dhënave është një e drejtë themelore, për kryeministrin që udhëton me fonde publike, fluturimet nuk mund të konsiderohen private, pasi ato janë pjesë e interesit publik dhe duhet të jenë të aksesueshme për çdo qytetar.
Historia e fluturimeve me charter të Edi Ramës i paraprin këtij vendimi. Në tetor 2022, grupi i hakerëve iranianë “Homeland Justice” publikoi nga sistemi TIMS të dhëna për hyrje-daljet e kryeministrit, duke zbuluar se deri në shtator të atij viti Rama kishte udhëtuar 134 herë me avionë privatë, shumica të vëna në dispozicion nga “Air Albania”.
Të dhënat tregonin një rritje të vazhdueshme të numrit dhe kostos së fluturimeve, që shkonin përtej kufijve të zakonshëm të shpenzimeve shtetërore.
Në atë kohë, kryeministri e justifikoi praktikën duke thënë se udhëtimet bëheshin me “çmim promocional”, pasi shërbenin për të promovuar linjën kombëtare. Por një vit më vonë, në shkurt 2023, u bë e ditur se kontrata midis Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare dhe “Air Albania” nuk përmbante asnjë klauzolë që ta lidhte përdorimin e avionëve me promovimin e kompanisë. Pra, argumenti i Ramës rezultoi i pabazuar.
Pas viteve të fluturimeve qeveritare me të njëjtën kompani, “Air Albania” po përballet sot me probleme të rënda financiare: bilancet e fshehura, kontrata të anuluara dhe detyrime të mëdha ndaj shtetit shqiptar. Punonjësit denoncojnë vonesa të gjata në paga, ndërsa ekspertët flasin për një kompani në prag falimentimi.
Në këtë kontekst, Rama është i detyruar të kërkojë linja të tjera për udhëtimet jashtë vendit. Vendimi për t’i shpallur “konfidenciale” itineraret dhe faturat duket se është një mënyrë për të shmangur çdo gjurmë të re të kostove dhe marrëveshjeve të reja të fluturimeve qeveritare.
Në fund, ndërsa qeveria e justifikon me “mbrojtjen e të dhënave personale”, në praktikë ajo po mbyll një tjetër dritare mbi informacione që janë në interes publik. Edi Rama mund të udhëtojë sa të dojë dhe ku të dojë, por fakti që i shpall sekrete shpenzimet e veta është një dëshmi e qartë se niveli i luksit dhe mungesa e transparencës në qeverisje po arrijnë lartësitë e një fluturimi qeveritar.



