Një situatë tepër kritike e flakëve u shënua sot në fshatin Radostinë të Fierit, duke rrezikuar jetën e banorëve dhe shtëpitë në zonë. Për fat të mirë, pas ndërhyrjeve, flakët u vendosën në kontroll.
Flakët vazhdojnë të jenë aktive, por për momentin nuk paraqesin rrezik për banorët, banesat apo bagëtitë.
Banorët e fshatit janë të alarmuar nga situata tepër e rëndë, edhe pasi flakët janë qetësuar tashmë.
Ata i frikësohen dhe asaj që mund të ndodhë gjatë mbrëmjes.
Një nga banorët deklaroi se gjendja është tepër kritike, duke shtuar se një lagje e tërë është djegur, me banesa e bagëti.
“Një helikopter ishte, duhej një ndërhyrje më e madhe. Është djegur një lagje aty, një shtëpi tjetër këtu. Tani po ikën drejt Levanit zjarri. Ka rrezik akoma. Shumë natë e vështirë është përpara. Kjo është çmenduri. U dogjën lopët, shtëpitë. Duhet të vijnë zjarrfikëset nga gjithë Republika. E favorizon shumë era. Si këtë herë, nuk ka ndodhur ndonjëherë”, tha banori.



