IMG_2506

E ardhmja e Vinicius Junior te Real Madridi vazhdon të jetë e paqartë, pasi negociatat për rinovimin e kontratës nuk kanë sjellë ende një marrëveshje mes palëve.

Kontrata aktuale e sulmuesit brazilian skadon në fund të qershorit 2027, ndërsa bisedimet për zgjatjen e saj janë komplikuar për shkak të disa kërkesave të lojtarit.

Nëse nuk arrihet një marrëveshje e re, Vinicius është përfolur për një largim të mundshëm nga “Santiago Bernabeu”, me Arsenalin që raportohet se po monitoron nga afër situatën. Trajneri Mikel Arteta thuhet se e sheh brazilianin si një përforcim ideal për skuadrën londineze.

Ndërkohë, kompania Roc Nation, e cila përfaqëson Viniciusin, ka reaguar ndaj raportimeve të fundit, duke i cilësuar ato si “informacione të rreme dhe të dëmshme”, megjithëse nuk sqaroi nëse deklarata lidhej drejtpërdrejt me çështjen e sulmuesit brazilian.

Sipas mediave spanjolle, një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes mbetet bonusi i rinovimit, por burimet bëjnë të ditur se Vinicius është i gatshëm të ulë kërkesat financiare për të vazhduar karrierën te Real Madridi.

Megjithatë, sipas gazetës AS, lojtari ka vendosur një tjetër kusht të rëndësishëm. Ai kërkon një marrëveshje për të drejtat e imazhit të ngjashme me atë që përfiton Kylian Mbappe.

Aktualisht, Vinicius ka kontrata sponsorizimi me 18 marka ndërkombëtare, mes tyre Nike, Visa, PlayStation, Apple dhe Gatorade. Sipas marrëveshjes aktuale me Real Madridin, ai përfiton vetëm 50 për qind të të ardhurave nga të drejtat e imazhit.

Braziliani synon që në kontratën e re të kontrollojë pothuajse 100 për qind të këtyre të drejtave, një model i ngjashëm me atë që raportohet se është negociuar nga Mbappe pas transferimit të tij në klubin madrilen.

Pikërisht kjo kërkesë konsiderohet si një nga pengesat kryesore që po vonon arritjen e marrëveshjes për rinovimin e kontratës së një prej yjeve më të rëndësishëm të Real Madridit.