4 persona janë vënë në pranga në lidhje me vrasjen e dyfishtë që ndodhi në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në Manzë. Personat e arrestuar akuzohen për përkrahje të autorit të krimit dhe moskallzim krimi.
“Hetimet e thelluara zbardhin dinamikën e konfliktit për motive të dobëta, ndodhur në ambientin e jashtëm të një lokali në fshatin Manzë, si pasojë e të cilit u vranë me armë zjarri, 2 shtetas.
Arrestohen për moskallëzim të krimit, 4 shtetas të përfshirë në konflikt.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim shtetasi që dyshohet se është larguar nga vendngjarja, bashkë me shtetasin D. P. (autor i dyshuar i njërës prej vrasjeve).
Në vijim të hetimeve të thelluara dhe profesionale, të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në koordinim me Prokurorinë e Durrësit, me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të të gjithë shtetasve të implikuar në konfliktin për motive të dobëta, të ndodhur rreth orës 01:25 të datës 22.10.2025, në ambientin e jashtëm të një lokali në fshatin Manzë, ku u vranë me armë zjarri, shtetasit F. P., 33 vjeç dhe A. K., 23 vjeç, u arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, shtetasit:
-E. C., 25 vjeç dhe E. K., 21 vjeç, si dhe shtetasit T. B., 37 vjeç dhe E. B., 34 vjeç, vëllezër, të katërt banues në Manzë.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim, shtetasit:
-D. P., 21 vjeç, banues në Manzë, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
-G. A., 30 vjeç, banues në Manzë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
Nga hetimet e kryera deri tani ka rezultuar se shtetasi D. P. ka hyrë në lokal dhe për motive të dobëta, është konfliktuar verbalisht, me kamerierin e lokalit dhe me shtetasin F. P. (i cili shoqërohej në lokal, nga disa shtetas, ndër ta, i arrestuari E. C.). Pas konfliktit verbal, shtetasi D. P. është larguar me automjet, nga ambienti i lokalit, ku është kthyer menjëherë më pas, i shoqëruar nga shtetasi i arrestuar E. K. dhe nga shtetasi A. K.. Gjatë tentativës së tre shtetasve, për të hyrë në lokal, ka dalë nga lokali, shtetasi F. P., i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në tokë. Në këtë moment shtetasi D. P. dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasit F. P., të cilin e ka plagosur, dhe ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasve D. P. dhe A. K. (që dyshohet se e ka goditur me grusht, në fytyrë, shtetasin F. P.). Si pasojë u vranë shtetasit F. P. dhe A. K..
Më tej nga hetimet, dyshohet se shtetasi G. A. është larguar nga vendngjarja, me shtetasin D. P..
Vijojnë kërkime intensive për kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit F. P., shtetasin D. P., si dhe për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim G. A..
Gjithashtu, në drejtimin e Prokurorisë, po punohet intensivisht për të siguruar çdo provë që do t’i shërbejë hetimit për dokumentimin e përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve të implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme”, njoftpn policia e Durrësit.
Daniel Pepa vrau Flori Paluçin, pasi ky i fundit qëlloi për vdekje me armë zjarri 23-vjeçarin Aranit Kurti.
Çfarë ndodhi në lokal
Aranit Kurti 23 vjeç dhe Daniel Pepa, 21 vjeç u ulën në tavolinë dhe i kërkuan kafe kamerierit. Kamerieri Alteo Pepa ishte ulur me Flori Paluçin, 33 vjeç, dhe i thotë dy të rinjve se nuk mund t’u shërbente kafe, pasi ekspresi ishte i fikur. Përgjigjia e tij ‘ndezi’ sherrin mes të rinjëve, ku fillimisht filloi me ofendime dhe sharje.
Në debat ndërhyri dhe Flori Paluçi, i cili i doli në mbrojtje kamarierit, duke thënë se nuk mund ta fyenin pasi kamerieri ishte ulur në tavolinë me të. Debati ka agravuar në përdorimin e armës, ku i pari që ka qëlluar ishte Flori Paluçi i cili ka vrarë Aranit Kurtin dhe më pas Daniel Pepa ka qëlluar duke lënë të vrarë Paluçin.



