Gjykata e Tiranës ka shpallur fajtor sot (4 shkurt) dhe ka dënuar me 24 vite burg, Ilir Beqarajn alias Brahimi, alias Mançellari, i akuzuar për vrasjen e ish-policit Gentjan Bejtja, ngjarje e ndodhur më 15 mars 2024 në fshatin Larushkë, Fushë-Krujë.
Beqaraj është shpallur fajtor për veprat penale që përfshijnë vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim, mbajtje pa leje të armëve dhe falsifikim dokumentesh dhe pas pretencës së Prokurorisë dhe konkluzioneve të palës mbrojtëse, u shpall vendimi i dënimit me 24 vite burgim.
Atentati ndaj Gentian Bejtjas
43-vjeçari Gentjan Bejtja u ekzekutua me breshëri kallashnikovi, teksa ishte duke vaditur domatet në një serë në oborrin e banesës së tij në fshatin Larushkë. Atentati u regjistrua në orën 16 e 20 minuta të 15 marsit 2024.
Sipas të dhënave të siguruara nga grupi hetimor, në ngjarje dyshohet të kenë marrë pjesë 4 persona. Ata janë afruar me automjetin “Land Rover”, më të cilin kanë udhëtuar nga Fushë – Kruja, në drejtim të fshatin Larushkë. Ai që drejtonte makinën, ka ndaluar pranë rrugës kryesore, ndërsa tre të tjerët, të veshur me të zeza e të maskuar, janë afruar në këmbë drejt shtëpisë së Bejtjas, që ndodhej vetëm pak metra larg.
Duket se ata kanë pasur informacion të saktë për momentin kur duhej të afroheshin, duke qenë në atë koha ka qenë e hapur porta dhe janë futur brenda në oborr ku ndodhej Gentian Bejtja. Autorët sapo kanë parë objektivin e tyre kanë qëlluar të tre me breshëri, me të paktën 50 plumba, duke e lënë të vdekur në vend.
Gjatë kryerjes së veprimeve hetimore ka rezultuar se pas ngjarjes, autorët janë larguar në aksin rrugor Larushkë – Thumanë, pas kalimit të mbikalimit të Fushë Krujës, janë kthyer majtas dhe në fshatin Hasan kanë djegur automjetin e mësipërm.
Nga kryerja e veprimeve hetimore është vërtetuar se autorët janë larguar me një automjet tip “Golf” me ngjyrë të zezë, pa targë në pjesën e pasme, duke ndjekur itinerarin nga vendi i djegies së automjetit në drejtim të rrugës kryesore Thumanë-Fushë Krujë, kanë devijuar djathtas në mbikalimin e Fushë – Krujës dhe janë larguar në drejtim të fshatit Bubq.
Nga analiza e informacioneve, si dhe këqyrja e kamerave të sigurisë, është bërë i mundur identifikimi i automjetit tip “Golf” me targë AB 960 GG, në pronësi të Edison Haxhiu, lindur në Milot dhe banues në Tiranë. Po kështu ka rezultuar se ky automjet është përdorur edhe nga Ilir Beqaraj i njohur edhe me mbiemrat Brahimi dhe Mançellari lindur në Milot dhe banues në Tiranë.
Ilir Brahimi, i dyshuar për përfshirjen në këtë ngjarje është kunati i Roan Brahimit alias Sidore Prendit, i ekzekutuar në Maj të vitit 2024 në Athinë, i cili strehohej në Dubai, teksa në muajin Prill të këtij viti i ekzektuan edhe të atin, Gjovalin Prendi në Lezhë.
Gentjan Bejtja kishte qenë objektiv dhe i tre atentateve të tjera, por që u kishte shpëtuar plumbave dhe eksplozivit. Një vit para se të ekzekutohej, po me një automjet tip Golf, tre persona e ndoqën deri në afërsi të shtëpisë, por qëlluan për vdekje kunatin e tij Ramazan Sino dhe plagosën dy djemtë e Bejtjes 10 dhe 13 vjeç.
Pas kësaj ngjarjeje të ndodhur me 3 korrik u arrestua Valter Bami, vëllai i Durim Bamit. Në atë kohë në duart e Bamit pas ekspertimit kimik rezultoi se në duart e tij kishte gjurmë baruti, por as kjo nuk mjaftoi për ta mbajtur atë në burg.
Për Policinë e Shtetit 43-vjecari Gentjan Bejtja ka qenë i dyshuar si i përfshirë edhe në vjedhjen e automjetit që u përdor në vrasjen e komisarit të policisë Dritan Lamaj. Pas serisë së atentateve ai kërkoi azil në Norvegji e Suedi, por kërkesat e tij i ishin refuzuar.



